Betim Gjoshi viziton drejtuesit e UÇK-së në Hagë: Shpreh mbështetje për Thaçin dhe Veselin
Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Betim Gjoshi, ka vizituar drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po mbahen në paraburgim që katër vite në Hagë. Në një mesazh të ndarë në rrjetet sociale, Gjoshi shprehu mbështetjen e tij të fortë për ish-udhëheqësit e PDK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, duke vlerësuar atdhedashurinë e tyre të vazhdueshme për Kosovën.
“Kam pasur fatin e madh që të shërbej në Partinë Demokratike të Kosovës gjatë udhëheqjes së saj nga dy kryetarët, Thaçi dhe Veseli. E kam parë nga afër angazhimin e tyre për Kosovën”, tha Gjoshi, duke shtuar se çdo herë që i viziton, ata i gjen me moral të lartë dhe të bindur në të drejtën e popullit të Kosovës për liri.
Në përfundim, Gjoshi përcolli përshëndetjet e tyre dhe u shpreh optimist për lirimin e tyre të afërt, duke theksuar se “forca e tyre është frymëzim për angazhimin tonë politik për Kosovën”.
Kjo deklaratë vjen ndërsa PDK vazhdon të mbështesë figurat historike të partisë, duke nënvizuar përkushtimin ndaj vlerave dhe lirisë së Kosovës.