Kurti viziton familjen e Rexhep Selimit, por nuk i përmend çlirimtarët tjerë që ndodhen në Hagë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar sot familjen e Rexhep Selimit në 4 vjetorin e arrestimit të tij dhe bashkëluftëtarëve tjerë të cilët ndodhen në Hagë duke u përballur me një gjykim kinse për krime të kryera gjatë luftës në Kosovë. Por Kurti, nuk ka përmendur kundërshtarët e tij politik të cilët e ndajnë një dhomë me Selimin.
Postimi i Lëvizjes Vetëvendosje:
Rexhep Selimi, 10-tshi ynë i lirisë, na mungon!
Rexhep Selimi tash e katër vjet është duke u mbajtur padrejtësisht në burgun e Hagës. Një figurë e çmuar që i shërbeu vendit si ish-komandant i UÇK-së dhe më pas si deputet që nga hyrja jonë në institucione në vitin 2010, si anëtar i Kryesisë dhe si Shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes, Rexhep Selimi ka qenë gjithmonë simbol i vendosmërisë dhe triumfit.
Sot, vizita e Kryeministrit Kurti bashkë me krerë të tjerë të institucioneve dhe të Lëvizjes VETËVENDOSJE! te familja e Rexhep Selimit, bashkëshortja e tij dhe deputetja Shqipe Mehmeti-Selimi, përforcoi edhe një herë bindjen tonë të pathyeshme: lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe dinjitoze. Ne do të vazhdojmë ta kundërshtojmë gjykatën e padrejtë, gjykimin e padrejtë, ashtu siç kemi bërë gjithmonë.
Si Lëvizje, si anëtarësi e si aktivistë, jemi të patundur në mbështetjen për Rexhepin dhe shpresojmë që ai të kthehet sa më parë te ne, te vendi që aq shumë e deshi dhe për të cilin kontribuoi shumë dhe pa kursyer asgjë.