Apeli vërteton vendimin lirues për Selimin e Demakun

Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sylejman Selimi dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Jahir Demaku, janë liruar nga akuza për krime lufte kundër popullatës civile.

Në njoftimin e Apelit bëhet e ditur se e ka vlerësuar si të pabazë ankesën e Prokurorisë. 

Selimi dhe Demaku janë dënuar paraprakisht për krime lufte. Por rasti për të cilin u gjykuan së fundi u kthye në rigjykim, si pikë e vetme e aktakuzës.

Në anën tjetër, Prokuroria e Apelit, përmes parashtresës kishte kërkuar që të aprovohet ankesa e Prokurorisë Speciale, ndërsa lënda të kthehet në rivendosje.

Shkalla e dytë ka vlerësuar pretendimet ankimore të Prokurorisë, lidhur me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe ka ardhur në përfundim se aktgjykimi i ankimuar nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, qofshin shkelje që kujdeset sipas detyrës zyrtare vetë gjykata apo shkelje që pretendohen në ankesën e Prokurorisë.

Apeli njofton se kolegji i kësaj gjykate ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë në pjesën e dispozitivit ka përshkruar të gjitha rrethanat e fakteve dhe se nuk ka asnjë kundërthënie në veten e tij, e as në raport me dispozitat ligjore që u janë ngarkuar të pandehurve për veprën penale të lartcekur.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë