Konventa e PDK-së – Krejt çka premtoi Bedri Hamza
Me fjali të moderuara, pa kritika ndaj pushtetit, me një slogan tejet të kritikuar, me premtime që në qendër kishin ekonominë, pa prekur fare disa çështje tejet të rëndësishme që po përballet vendi si dialogu me Serbinë, Bedri Hamza në një sallë të stërmbushur me qytetarë e simpatizantë u kërkoi votën kosovarëve për të marrë drejtimin e vendit.
Këtë e bëri në Konventën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për Bedri Hamzën Kryeministër që u mbajt në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, të shtunën.
Hamza, në cilësinë e kandidatit për Kryeministër nga radhët e PDK-së, shpalosi programin e tij para qytetarëve të Kosovës, të cilin tha se e ka bazuar në pesë shtylla kryesore.
Zhvillim i qëndrueshëm ekonomik; Jetë më e mirë për secilin; Arsim për të ardhmen; Sistem shëndetësor me pacientin në qendër; Një Kosovë e sigurt dhe e integruar, janë pikat që Hamza i ka cilësuar si jetike për përmirësimin e gjendjes së përgjithshme të vendit.
Shtylla parë
Hamza tha se zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik është themeli për një Kosovë ma të mirë, derisa premtoi mbështetje për bizneset private në mënyrë që ata të kenë mundësi t’i rrisin pagat për të punësuarit në sektorin privat dhe krijojnë vende të reja të punës.
“Ne do ta ndryshojmë praktikën e pagesës së TVSH-së për mallrat e importuara që bizneset ta paguajnë TVSH-në pas shitjes dhe jo paraprakisht në kufi, duke i lehtësuar kështu ndjeshëm financat e tyre”, premtoi Hamza.
Bizneset e vogla me qarkullim deri në 10 mijë euro, ai theksoi se do të lirohen nga tatimi, ndërsa ato që investojnë mbi 500 mijë euro, apo punësojnë mbi 50 punëtorë do të lirohen nga tatimi në fitim për periudha të caktuara.
“Po ashtu, ne do ta eliminojmë edhe tarifën doganore për importimin e veturave të reja elektrike. Do të ofrojmë një program mbështetës për sektorin privat me subvencione dhe grante deri në 30 për qind për investimet për zhvillim”.
Për më tepër, ai premtoi se do ta zvogëlojnë edhe barrën tatimore për të ardhurat personale duke reduktuar tatimin e të ardhurave personale. Konkretisht ai u zotua se paga deri në 400 euro nuk do të tatohet, paga 400 deri në 800 euro do të tatohet vetëm 8 për qind, ndërsa pagat mbi 800 euro do të tatohen me 10 për qind.
Po ashtu, kandidati i PDK-së për kryeministër premtoi shfuqizimin e ligjit aktual për tatimin në pronë “për të siguruar barrë sa më të përballueshme për familjet dhe bizneset”.
“Kompanitë eksportuese do të mbështeten me garanci kreditimi të posaçme. Për më shumë, për ta zhbllokuar kapitalin e ngrirë prej miliardave eurosh ne do t’i formalizojmë në mënyrë të përshpejtuar ndërtimet pa leje”.
Premtoi edhe ndërtimin e projekteve të ngrohtores qendrore në Gjilan, Ferizaj, Prizren, Pejë, Mitrovicë, të cilat tha se do ta zvogëlojnë konsumin e energjisë.
Shtylla e dytë
Bedri Hamza premtoi se pagat në sektorin publik do të ritën për 50 për qind. Pagat do të rriten për infermierë, për mjekë, për mësues, për arsimtarë, për profesorë, për zjarrfikës, për policë, për ushtarë, për shërbyes civilë, për të gjithë ata që realizojnë paga prej buxhetit të Kosovës. Të përjashtuar do jenë pagat e larta e pozitat e larta politike të cilat do të ritën për 30 për qind.
Për sa i përket pensioneve, ai premtoi se nuk do të ketë pension më të vogël se 200 euro. “Këtu hyn pensionet e moshës, pensionet e personave me asistencë sociale dhe shumë kategori të tjera”.
Për kategoritë e dalura nga lufta: pensionet për familjet e dëshmorëve tha se do të rriten 50 për qind. “Për më tepër nuk do të detyrohen prindërit e dëshmorëve që të zgjedhin mes pensionit të pleqërisë dhe pensionit të dëshmorit do t’i marrin të dyja”.
Invalidëve të luftës, Hamza potencoi se pensionet do t’u rriten 50 për qind. Veteranëve të luftës pensionet do t’u rriten 50 për qind, “për ma tepër nuk do t’i kufizohet e drejta që ata të punojnë në sektorin privat”.
Tutje, ai premtoi ofrimin e subvencioneve prej 100 eurosh për familjet që i regjistrojnë fëmijët në çerdhet private, por edhe ndërtim të qendrave për të moshuarit në secilin rajon.
Shtylla e tretë
Hamza tha se arsimi do të lidhet ngushtë me tregun e punës. Tek fondi i bursave ai premtoi se do të sigurojë mbështetje për studentët në fusha strategjike.
Shtylla e katërt
Ai premtoi fokus të madh edhe në sektorin shëndetësor, duke theksuar se investimet në spitalet rajonale do të ofrojnë shërbime cilësore. “Do ta ndërtojmë spitalin rajonal të Prishtinës dhe sistemimin kombëtar të emergjencave shëndetësore”.
“Sigurimet shëndetësore do të bëhen realitet”.
Shtylla e pestë
Ai deklaroi se do të punojnë ngushtë me aleatët “që ta bëjmë Kosovën një vend të sigurt duke synuar anëtarësimin në OKB dhe integrimin e përshpejtuar në NATO e Bashkimin Evropian me lidhje të forta me pjesë të tjera të kombit shqiptar”.
Në prezantimin e programit, Hamza nuk e përmendi fare dialogun me Serbinë, si një nga sfidat më të madha që ka Kosova, e për të cilën bashkësia ndërkombëtare i kërkon angazhim konstant.
Por, megjithatë ai ka paraqitur një platformë për këtë çështje në programin e tij të cilin e ka publikuar online.
Aty thuhet se do të vazhdohet dialogu konstruktiv me Serbinë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për të zgjidhur kontestet e pazgjidhura dhe për të promovuar paqen dhe integrimin rajonal.
Fokusi Hamza ka theksuar se është në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme, me njohjen reciproke në qendër.
“Angazhimi në negociata konsistente dhe konstruktive, lehtësuar nga ndërmjetësuesit e BE-së dhe SHBA-së, për të adresuar çështjet qenësore si njohja reciproke dhe të drejtat e komuniteteve jo-shumicë”, thuhet tek pjesa e dialogut, përkatësisht zotimi një (1).
Ndërsa te zotimi dy (2), të cilin e ka titulluar “nxitja e dialogut të brendshëm me serbët e Kosovës, premton “angazhim në dialog konsistent dhe konstruktiv me komunitetin serb në Kosovë për të siguruar integrimin e plotë dhe respektimin e të drejtave të tyre”.
Tek zotimi i fundit sa i përket dialogut, ai i treti (3), i titulluar “projektet e integrimit ekonomik dhe zhvillimit të komunitetit”, ai ka premtuar hulumtimin e projekteve ekonomike për të ngritur besimin dhe mirëqenien ekonomike, duke i hapur rrugë integrimit të plotë në shoqërinë kosovare.
Kandidati për Kryeministër nga radhët e PDK-së ka potencuar se fushat e fokusit mund të jenë projekte në infrastrukturë, ndërmarrësi, si dhe arsim e shëndetësi.
Ndryshe, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 9 shkurtin e 2025-së, si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Kjo është hera e parë pas pavarësisë që në Kosovë organizohen zgjedhje të rregullta, duke qenë se të gjitha të tjerat ishin të jashtëzakonshme, për shkak të dorëheqjeve të kryeministrave apo mocioneve të mosbesimit.
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 14 shkurt të vitit 2021.
Ato i kishte fituar në mënyrë plebishitare Lëvizja Vetëvendosje e drejtuar nga Albin Kurti, me mbi 50 për qind.
Nga lista fituese, pra e LVV-së, e cila ishte në koalicion me Listën Guxo, që atëbotë udhëhiqej nga Vjosa Osmani, janë zgjedhur tre krerët e institucioneve kryesore të shtetit, konkretisht Albin Kurti Kryeministër, Vjosa Osmani Presidente dhe Glauk Konjufca, Kryetar i kuvendit.
Në ato zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), siguroi 58 ulëse; Partia Demokratike e Kosovës (PDK) siguroi 19 ulëse; Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) siguroi 15 ulëse dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), 8 ulëse.
Në bazë të rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), LVV-ja kishte fituar 438 mijë e 335 vota (50.28%); PDK-ja 148 mijë e 296 (16.90%); LDK-ja 110 mijë e 978 (12.64%) dhe AAK-ja 62 mijë e 111 vota (7.07%).