Ramiz Lladrovci mirëpret vendimin e FC “Feronikeli ’74” për të mos u tërhequr nga Superliga
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shprehur kënaqësinë e tij për vendimin e Kryesisë së FC “Feronikeli ’74” për të vazhduar garat në Superligën e Kosovës. Lladrovci e cilësoi këtë vendim si një motivim të madh për të rinjtë dhe futbolldashësit e komunës.
“Vendimi i sotëm i Kryesisë së FC ‘Feronikeli ’74’, për të mos u tërhequr nga Superliga, më gëzoi shumë. Të rinjtë dhe fëmijët e komunës tonë do ta vazhdojnë ëndrrën për lojë të bukura dhe suksese të klubit, ashtu sikur për futbolldashësit dhe qytetarët e komunës tonë,” tha ai.
Duke vlerësuar përkushtimin e klubit për t’i sjellë gëzim tifozëve besnikë “Tigrat e Zi”, si dhe të gjithë përkrahësve të klubit, Lladrovci theksoi se është i bindur që FC “Feronikeli ’74” do të vazhdojë të jetë një simbol i suksesit për komunën e Drenasit.
Ai gjithashtu u bëri thirrje Federatës dhe referëve të reflektojnë për padrejtësitë e mëparshme ndaj Feronikelit: “Pres që Federata dhe referët e futbollit tonë të reflektojnë që situatat e padrejtësive të vazhdueshme ndaj Feronikelit të mos përsëriten dhe loja e futbollit të mbetet ballafaqim i lojtarëve me lojë fer, korrekte dhe pa ndikime nga jashtë.”
Lladrovci përfundoi duke theksuar se FC “Feronikeli ’74” është më shumë sesa një ekip futbolli për Drenasin.