Mefail Bajqinovci takon mërgatën në Suedi: Në tubim vendoset edhe flamuri i Kosovës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka zhvilluar një takim me mërgatën shqiptare në qytetin e Linkoping të Suedisë, transmeton portali DrenicaOnline.

Ndryshe nga takimet e kryeministrit Albin Kurti me diasporen në Gjermani, ku është vënë re mungesa e flamurit të Kosovës, Bajqinovci ka treguar kujdes duke vendosur krahas flamurit kombëtar edhe atë të Kosovës.

Në një postim në rrjetet sociale, Bajqinovci falënderoi bashkatdhetarët për mikpritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Lëvizjes Vetëvendosje. Ai theksoi se, pavarësisht largësisë, mërgata e ka Kosovën në zemër dhe është e përkushtuar për një të ardhme të përbashkët dhe më të mirë për vendin.

“Bisedat tona ishin të mbushura me ide dhe shpresë për të ardhmen e përbashkët, duke na kujtuar se forca e Kosovës vjen nga uniteti ynë,” shkroi Bajqinovci, duke shprehur mirënjohje për përkushtimin e mërgatës për një Kosovë më të fortë dhe të drejtë. Gjithashtu, ai theksoi se mërgata është zotuar për një mbështetje edhe më të fuqishme për kryeministrin Kurti.

Takimi u organizua nga Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Suedi, e cila gjithashtu u falënderua për kontributin në këtë organizim.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë