Shitësi i cigareve te ‘Buqajt’ cak i grabitjes, hajni i armatosur ia kap 10 mijë euro ‘cash’
Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet e grabitjet e armatosura, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri për shtëpitë private, bizneset dhe jo vetëm. Cak i grabitjes ishte sot një punëtor i kompanisë Buqaj, raporton Gazeta Sinjali.
Siç ka mësuar ekskluzivisht Sinjali, një shitës i cigareve në këtë kompani raportoi një rast të grabitjes, që dyshohet se ndodhi sot, në rrugën “Shaip Kamberi” në kryeqytet.
Bazuar në informacionet e para, i dyshuari ka qenë i maskuar dhe i armatosur, në momentin që ia ka zënë pritën viktimës.
Nën kërcënimin e kallashnikovit, viktima ka deklaruar se i dyshuari ka arritur t’ia grabis 10 mijë euro para të gatshme dhe të largohet me shpejtësi.
Posa rasti është denoncuar, njësitë përkatëse të Policisë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për të zbardhur rrethanat e rastit.