Reagon Blerta Deliu: Nuk jam pronare e kompanisë së ndërtimit, mos shpifni
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka reaguar ndaj atyre që po shpifin kinse ajo dhe vëllai i saj paskan biznes ndërtimi në Prishtinë.
Reagimi i deputetes:
Eksponentë të pushtetit paskan fillu këtë “luftën hibride” ndaj opozitës, e posaçërisht ndaj meje në rrjete sociale. Këtë herë, më paskan lidhë si pronare të një kompanie ndërtimi, e të cilën, sipas tyre, po e menaxhojka “vëllau” im Naseri. Tash, për shpifjet ndaj meje, unë jam mësu. Nuk po më vjen çudi as kjo e pavërtetë.
Por, që jeni marrë me Naserin, turp ju qoftë. Fillimisht, Naseri nuk është vëllau im, është kushëriri apo bashkëfshatari im. E njoh mirë dhe e çmoj shumë, e qe po ju tregoj edhe pse: Gjysma e familjes së Naserit janë masakruar në Rezallë. Trupi i babait tij është gjetur në Serbi pas 22 vitesh. Familja e Naserit ka qenë prej ma të goditurave gjatë luftës. Për vite me radhë, Naseri e ka mbajtë barrën e familjes mbi supe, duke punuar lloj-lloj pune.
Sot, jam shumë e lumtur që pas qindra sakrificave, edhe Naseri e ka një punë të mirë. Të fituar me punë e djersë. Jam krenare me shumë bashkëfshatarë tjerë të mi, të cilët, me rezistencën e tyre, para, gjatë dhe pas luftës, ia sollën Kosovës lirinë, ku të gjithë, edhe militantët e tillë të Vetëvendosjes, mund të jetojnë të qetë. Unë e di, ju UÇK-në dhe njerëzit që janë dëmtuar gjatë luftës dëshironi t’i shihni si “gjynaha” dhe “hallexhinjë”.
Ja që, kurajo e atyre burrave dhe grave është shumë herë më e lartë se mundësitë tuaja për t’i përceptuar. Kujdes shëndetin, se xhelozia është sëmundje e poshtër. Tash vendosni kapelat edhe dilni bëni ndonjë dallaver në dëm të tyre me Radoiçiqin!