Këta janë dy personat e arrestuar që u rrahën në Fushë Kosovë, dërgohen në mbajtje
Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë dhe ndërhyn Policia. Kështu ka ndodhur edhe të martën në Fushë Kosovë, ku u arrestuan dy persona, raporton Gazeta Sinjali.
Të dyshuarit u përfshinë në një përleshje që dyshohet se nisi pas një mosmarrëveshje momentale dhe plasi sherri mes tyre.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se dy personat e arrestuar janë Fatos Mustafaj dhe Serxhio Ferhat, të cilët tashmë kanë përfunduar në ndalim policor.
Bazuar në informacionet e para, dy të dyshuarit kanë përdorur edhe mjete të forta e të mprehta gjatë përleshjes.
Pasi rasti është denoncuar, Mustafaj dhe Ferhati kanë marrë trajtim mjekësor e më pas janë shoqëruar në stacion.
Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin edhe Policia Rajonale në Prishtinë.
“Dy të dyshuar meshkuj kosovarë, janë arrestuar për shkak se ishin përleshur fizikisht ndërmjet vete. Si pasojë e përleshjes të dyshuarit kishin pësuar lëndime trupore. Pas trajtimit mjekësor të njëjtit janë intervistuar dhe në konsultim me prokurorin janë dërguar në mbajtje.”
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.