Krasniqi u bën thirrje bashkëpartiakëve për bashkim e mobilizim: PDK e gatshme për fitore të reja
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka publikuar në Facebook një video nga shënimi i 25-vjetorit të themelimit të partisë ditë më parë.
Në një pjesë të fjalimit të tij, Krasniqi thotë se partia që ai drejton është histori e jashëtzakonshme e kontributit dhe sakfricës për Kosovën.
Gjatë fjalimit të tij, kreu i PDK-së përmendi paraardhësit e tij në parti, Hashim Thaçin e Kadri Veselin.
“Partia Demokratike e Kosovës është një histori e jashtëzakonshme e dashurisë, sakfriciës dhe kontributit për Kosovën. Të gjithë që sot jeni prezent këtu, jeni trashëgimtar të kësaj historie, të kësaj ëndrre, të ëndrrës së Hashim Thaçit e Kadri Veselit”.
“Sa herë Kosova është në dhembje, unë dhe ju e dimë që ky është një kushtrim për PDK-në , një thirrje e painjorueshme për bashkim, veprim e mobilizim”, thotë Krasniqi në fjalimin e tij.
Në përshkrimin e videos, Krasniqi thotë se PDK-ja është e gatshme për fitore.
“PDK është gati për fitore të reja dhe do ta bëjë secilin qytetar të krenohet sërish me Kosovën”, ka shkruar ai.