Sot priten të rivarrosen tre viktimat e luftës në Drenas, që ishin në Listën e Personave të Zhdukur
Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Kushtrim Gara ka njoftuar se sot do të rivarrosen tre viktimat e luftës, Xhavit Maloku nga Polluzha, Agim Syla dhe Besim Berisha nga Shtutica.
Gara përmes një postimi në “Facebook” ka shprehur se trupat e viktimave të luftës do të rivarrosen në Polluzhë dhe Shtuticë.
“Pasi identifikimit përmes analizës shkencore të ADN-së, nga mbetjet mortore (eshtrat) e zhvarrosura gjatë vitit të kaluara (nga lokacioni i varrezave në Prekaz), familjet kanë vendosur që sot në Drenas, përkatësisht në Polluzhë dhe Shtuticë, të rivarrosen:Xhavit Maloku nga Polluzha , Agim Syla dhe Besim Berisha nga Shtutica, viktima të luftës që ishin në Listën e Personave të Zhdukur.”, ka njoftuar Gara.
Gara njoftoi se komuna e Drenasit do të organizojë mbledhje përkujtimore për nderim të viktimave Xhavit Maloku, Besim Berisha, Agim Syla, Ramadan Hoxha dhe Gani Baleci.
“Me këtë rast, Komuna e Drenasit , në nderim të viktimave të luftës, Xhavit Maloku, Agim Syla, Besim Berisha, dhe Ramadan Hoxha (rivarrosur më 1 tetor 2024) e Gani Baleci (rivarrosur më 14 korrik 2024), organizon Mbledhje Përkujtimore, duke filluar nga ora 12:00 në Sallën e Kulturës, për të vazhduar pastaj me ceremonitë e rivarrimit në Polluzhë (ora 14:00) dhe Shtuticë (ora 15:00), me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur Qeveritar për Persona të Zhdukur, Ministrisë së Mbrojtjes/Forcës së Sigurisë së Kosovës, Institutit për Mjekësinë Ligjore, Kryqi i Kuq i Kosovës / Red Cross of Kosova dhe Shoqatës së Familjeve ‘ For New Life Kosovo ‘. Lavdi e nderim, mirënjohje për guximin dhe sakrificën e trimave, dëshmorëve, të rënëve dhe gjithë viktimave të luftës, që janë shembulli frymëzues i guximit dhe vendosmërisë njerëzore.Ata lanë pas një trashëgimi të madhe për te të gjithë, duke na dhënë lirinë që gëzojmë sot”, ka shkruar Gara./Dukagjini