Kriza me ushqimin e FSK-së/ Osmani kërkon takim me gjeneralin Jashari e ministrin Maqedonci
Pas problemeve të vazhdueshme me ushqimin e ushtarëve të FSK-së dhe shqetësimeve të ngritura edhe nga komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar një takim me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandantin e FSK-së.
Kështu ka konfirmuar këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina, duke treguar se Osmani ka kërkuar një raport të detajuar nga komandanti i FSK-së për gjendjen.
“Presidentja Osmani ka përcjellë me shqetësim situatën e krijuar ditëve të fundit sa i përket furnizimit me ushqim të ushtarëve të FSK-së, ndaj menjëherë ka kërkuar raport të detajuar nga komandanti i FSK-së”, ka thënë Kupina.
Kupina ka thënë se shefja e shtetit ka kërkuar takim për ta diskutuar këtë çështje edhe më në detaje me komandantin e FSK-së, Bashkim Jashari dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
“Po ashtu i ka ftuar në takim për ta diskutuar këtë çështje edhe më në detaje komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Jashari, por edhe Ministrin e Mbrojtjes Maqedonci. Presidentja angazhohet, brenda kompetencave të saj, në funksion të zgjidhjes së problemit të shfaqur që ndikon pashmangshëm në operacionalitetin e FSK-së, procesin zhvillimor të saj, imazhin dhe integritetin e saj institucional”, ka thënë Kupina për Express.
“Presidentja angazhohet, brenda kompetencave të saj, në funksion të zgjidhjes së problemit të shfaqur që ndikon pashmangshëm në operacionalitetin e FSK-së, procesin zhvillimor të saj, imazhin dhe integritetin e saj institucional”, ka shtuar tutje Kupina.