Fjalimi i veçantë i Lladrovcit në përvjetorin e PDK-së (Video)

Mbrëmë Partia Demokratike e Kosovës shënoi 25 vjetorin e themelimit, ku të pranishëm në sallë ishin shumë zyrtarë e simpatizantë të saj.

Aty kishte edhe fjalime, por ai i kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci ishte i veçantë.

Si kryetar i komunës kampion për përformancë të mirë, fjalimi i Lladrovcit u prit me duartrokitje e brohoritje nga të pranishmit.

Postimi i Lladrovcit:

25 Vjet, janë vite për një brez njerëzor, sot, për Partinë Demokratike të Kosovës, është shënim jubilar që vijon rrugëtimin politik për brezin tjetër, me vlerat më të çmuara të popullit tonë, të punës, besimit, miqësisë dhe bashkëpunimit.

Për këto vite, kujtojmë me nderim, themeluesit, anëtarët dhe simpatizantët e PDK-së, partisë gurthemel i shteformimit e shtetndërtimit. Parti e krijuar në rrethana pas çlirimit nga okupatori serb, në rrethana të rënda për popullin tonë, të djegur e përvëluar nga lufta, por me vullnet të madh për ta bërë shtetin e Kosovës.

Sot, me nderim, kujtojmë heronjtë e luftës e paqes, themeluesit e PDK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe atdhetarët tjerë që fizikisht nuk janë me ne në këtë shënim, por, jeta dhe vepra e tyre, mbetet model i atdhedashurisë, bashkëpunimit dhe punës për Republikën e Kosovës.

Anëtarë, simpatizantë dhe qytetarë që i keni besuar dhe i besoni misionit dhe vizionit të PDK-së, gëzuar. Kosova me PDK-në, janë të bekuara me atdhetarët që në çdo situatë i dalin zot atdheut e kombit, me institucione demokratike të ndërtuara bashkë me aleatë me shumë mund, brenda vlerave euro-atlantike.

Gëzuar, gëzuar, gëzuar!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë