Rrëfimi për Adem Jasharin, Gërxhaliu: Ndjeva se ‘takova’ historinë, kisha emocione dhe e putha në ballë

Arsim Gërxhaliu, ekspert i njohur mjekoligjor, ka ndarë përvojën e tij kur gjeti për herë të parë trupin e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari.

Në një intervistë emocionuese për “Top Story”, ai ka rrëfyer detajet e asaj dite dhe ndjenjat që e përfshinë.

Në disa fotografi të publikuara më herët, Gërxhaliu shihet duke puthur mbetjet kockore të Adem Jasharit, duke nënvizuar rëndësinë dhe simbolikën e këtij momenti historik.

Ai shpjegoi se pas përfundimit të luftës, në vitin 2002, ekipi i tij nisi punën për identifikimin e trupave të varrosur në Institutin e Mjekësisë Ligjore, një proces i cili zgjati për 13 ditë me nga 12-13 orë punë çdo ditë.

Gërxhaliu tregon se, ndër trupat e gjetur, ishte edhe ai i Adem Jasharit, i cili ishte verifikuar përmes analizave të ADN-së, një metodë që përdorej për herë të parë në Kosovë në atë kohë.

Gjatë punës së tij, ai u ndje krenar dhe i emocionuar, duke e përshkruar si një moment prekës dhe historik.

“Kafka e Adem Jasharit ishte pjesa e fundit që lash. Emocioni bëri të vetën dhe e putha në ballë. Sakrifica e tij është e përjetshme, një shembull unikal për të gjithë,” tha Gërxhaliu.

Ky akt simbolik tregon respektin e thellë për figurën e Adem Jasharit dhe sakrificën e tij, e cila, sipas Gërxhaliut, do të mbetet në kujtesën e popullit shqiptar për mijëra vite.

“Menjëherë pas luftës ne u kthyem në institucionet tona pas 10 vitesh, në institucionin e mjekësisë ligjorë, që për shqiptarët ishte i mbyllur. Trupat kanë qenë në Institut, gjetëm disa nga raportet e autopsive, një numër të vogël dhe në mesin e tyre ishte edhe një raport i komandantit legjendar, Adem Jashari. Njoftova familjen e tij dhe profesorin Murati, i cili shprehu gatishmërinë që të rihapen dhe të kryhen nga ekspertët vendorë. Kjo ndodhi në fund të shtatorit, të viti 2002, për 13 ditë kemi punuar mbi 12-13 orë në ditë. Çdo gjë është dokumentuar, xhiruar.

Momentet e atyre ditëve i kam parë pas 18 viteve. Jam emocionuar shumë, më të mëdhatë në jetë, isha në prekje të historisë. Dita e parë ka qenë aq mburrëse, por edhe jam frikësuar, një vend me 54 varre. Disa kanë qenë të goditur, nja 7 a 8 nuk dihej as emri. Secili nga vëllezërit e familjes Jashari kanë pasur nga një çun jashtë. Janë varrosur nga personat në fshatrat në afërsi, apo që nuk i kanë njohur mirë. Nja 6-7 kanë qenë gabimisht të varrosur. Për herë të parë është përdorur ADN në Kosovë në atë periudhë dhe kemi verifikuar pjesëmarrësit e familjes Jashari.

Nuk ka qenë e lehtë, kafka ishte e fundit që lash. Emocioni bëri të vetën dhe e putha në ballë. Nga figurat e larta të kombit tonë, do të mbesë mijëra vite më pas, sakrifica e tij është edhe unike në botë”, tregon ai.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë