KQZ del me rezultatet përfundimtare për zgjedhjet në Drenas

kqz-1

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Komunën e Drenasit.

Nga ky rezultat, kandidati i PDK-së, Ramiz Lladrovci, del fitues, i ndjekur pas nga kandidati i Nismës për Kosovën, Isa Xhemajlaj, të cilët do të jenë në garë për balotazh i përcaktuar të mbahet më 18 dhjetor të këtij viti.

Për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se janë bërë pesë ankesa, që kanë të bëjnë më ditën e zgjedhjeve.

Ajo ka thënë se këto ankesa nuk e ndryshojnë rezultatin përfundimtar.

Sipas të dhënave përfundimtare, më 4 dhjetor në Drenas kanë votuar 21 mijë e 64 vota apo 41.21 për qind, vota me kusht janë 598, kurse 695 janë vota të pavlefshme, 38 vota të zbrazëta.

Anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se, KQZ-ja do të duhej të merrte edhe konfirmimin e Gjykatës Supreme nëse ka ndonjë ankesë për zgjedhjet, dhe më pas të dalë me rezultatet përfundimtare.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se nuk ka nevojë të pritet, pasi që PZAP-ja nuk ka thënë se ka ndonjë ankesë.

Sipas saj, edhe nëse do të ketë ndonjë ankesë në Gjykatën Supreme, kjo nuk do ta ndryshojë këtë realitet.

Afati i ankesave fillon nga sot dhe mund të zgjasë deri më 15 dhjetor.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë