Dallaveret me rezerva shtetërore, Prokuroria Speciale konfirmon se biznesmeni Ridvan Muharremi po intervistohet si i dyshuar
Biznesmeni i dyshuar për përfshirjen në blerjen e rezervave shtetërore, Ridvan Muharremi, ka shkuar sot në Prokurorinë Speciale bashkë me avokatin e tij, Mahmut Halimin.
Prokuroria e ka konfirmuar se Muharremi po intervistohet si i pandehur për një çështje penale.
“Lidhur me rastin për të cilin keni pyetur Ju informoj se sot, Ridvan Muharremi, është paraqitur në Prokurorinë Speciale me ftesë të kësaj prokurorie. I njëjti është duke u intervistuar në cilësinë e të pandehurit për një çështje penale, të cilën kjo prokurori e ka në hetim”, ka thënë zëdhënësja e PSRK-së, Liridona Kozmaqi, për “Betimi për Drejtësi”.
Intervistimi i Muharremit po ndodh 13 muaj e 23 ditë pas aksionit të gushtit 2023 të Prokurorisë Speciale, e cila kishte arrestuar biznesmenin dhe dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nën dyshimin për dallavere me rezervat shtetërore.
Një ditë pas aksionit të PSRK-së, “Betimi për Drejtësi”, kishte publikuar dosjen e Prokurorisë ku thuhej se 52.5 tonë grurë, 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kg sheqer në vlerë mbi 600 mijë euro nuk erdhën në Kosovë pavarësisht se ishin paguar.
Për këtë rast është intervistuar edhe ministrja Rozeta Hajdari në prill të 2024-ës, në cilësi të të dyshuarës për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Prokuroria Speciale më 18 gusht 2023, kishte zhvilluar një aksioni për bastisjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë si dhe shkoi edhe te pronat e biznesmenit Ridvan Muharremi.
Pas aksionit, dy zyrtarët e Ministrisë, Hafiz Gara, Irfan Lipovica dhe biznesmeni u prangosën nën dyshimin për korrupsion dhe vepra tjera penale.
Ministrja Rozeta Hajdari kishte thënë po atë ditë se dy zyrtarët e MINT janë të pafajshëm dhe se nuk kanë bërë kurrfarë shkeljesh ligjore derisa ka akuzuar Policinë se ka marrë kundërligjshëm dokumentet e rezervës shtetërore, duke rrezikuar kështu sigurinë kombëtare.
Ndërkaq, më 31 gusht 2023, Muharremi dhe dy të zyrtarët shtetërorë ishin liruar nga paraburgimi.
Muharremi dyshohet se ka ndërmjetësuar kundërligjshëm në blerjen e rezervave shtetërore nga Turqia dhe Polonia.
Ai dyshohet se iu ka ndihmuar dy zyrtarëve shtetërorë Gara, dhe Lipovica , që të shkelin ligjin kur kanë porositur blerjen e rezervave shtetërore.