AKP-ja i jep AUV-së një pronë në Drenas, do të ndërtohet një fabrikë ricikluese
Bordi i drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), ka mbajtur mbledhjen e radhës, me ç’rast diskutoi për një numër çështjesh të parapara me agjendë dhe mori disa vendime në lidhje administrimin, privatizimin dhe likuidimin e ndërmarrjeve shoqërore.
Bordi nga fushëveprimi i vetë aprovoi kërkesën për transferimin e pronës së NSH Drenica (PRN011), Gllogoc me detajet e pronës: Prona e paluajtshme nr. 244-0 ZK Sankoc për realizimin e projektit “Ndërtimi i një fabrike ricikluese dhe përpunimit të nën-produkteve shtazore për nevoja të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV)”, që titulli pronësor të kalojë në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës/Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në përputhje me vendimin përfundimtar të Qeverisë së Republikës së Kosovës për shpronësim nr. 04/58, të datës 12 nëntor 2015.
Bordi diskutoi edhe për disa asete që shfrytëzohen për interes publik, për të cilat u vendos që të hiqet dorë (18 parcela) dhe të barten në komunat përkatëse pasi të aprovohen nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, si dhe vendosi për një numër të qiradhënieve direkte të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore.
Në vijim të mbledhjes, bordi shqyrtoi rezultatet e ofertave të pranuara për pronat që ishin në tender në shitjen e aseteve përmes likuidimit nr. 68 ku miratoi 5 dhe refuzoi 17 shitje të aseteve. Po ashtu u shqyrtua dhe u aprovua lista e aseteve për shitjen nr. 69 (SHAL 69), e cila do të shpallet ditëve në vijim, si dhe aprovoi raportin e Komisionit të banesave me rekomandime për 5 raste (1 aprovim dhe 4 refuzime). Më tutje, bordi diskutoi dhe miratoi amandamentimin e Rregullores për shitje direkte dhe Rregullores për ofruesit e shërbimeve. U diskutuan edhe çështje të tjera në kuadër të veprimeve që po ndërmerren në AKP për të përmirësuar proceset e administrimit dhe menaxhimit sa më të mirë të pasurisë shoqërore.