Kuvendi i Drenasit miraton faljen e taksave komunale për bizneset e komunës së Drenasit për periudhën 2000-2019

Sot ishte ditë e mirë për qytetarët e komunës së Drenasit, me shumicë votash, u aprovuan të gjitha pikat e Rendit të Ditës, më e rëndësishmja që u aprovua ishte Propozim vendimi për faljen e taksave komunale për veprimtaritë e biznesit të komunës së Drenasit për periudhën 1.01.2000 deri 31.12.2019, me vlerë 2,059,637.80 euro.

Në arsyetim të propozim vendimit thuhet se me Ligjin e përmbarimit, borxhet më të vjetra se tri vite (nëse nuk kanë qenë të proceduara), parashkruhen dhe çdo iniciativë e Komunës përmes përmbarimeve i krijon asaj vetëm shpenzime për inicim dhe është e pamundur të inkasohen.

Po ashtu, me shumicë të votave, u aprovua Propozim vendimi për aprovimin e Planit të punës për Ekipin Komunal për të drejtat e Fëmijës 2024-2027; Propozim Vendim për ndryshimin e emrit të NPI “Ekologia” në “EKO-Drenasi” Sh.A.; Propozim Vendim për transfer të mjeteve financiare subvencione dhe transfere; Propozim Vendim për transfer të mjeteve financiare nga Rezerva në kategorinë Ekonomike Investime Kapitale.

Pika e 11-të, ishte Propozim vendim për faljen e taksave komunale për veprimtaritë e biznesit të komunës së Drenasit për periudhën 1.01.2000 deri 31.12.2019, dhe Propozim vendimi për rritjen e të hyrave vetanake.

Të gjitha pikat e Rendit të Ditës ishin të rëndësishme, dhe u aprovuan me shumicë votash, ndërsa gjatë debatit, u diskutuan edhe për disa kërkesa ndaj Drejtorisë së Infrastrukturës, Shërbimeve Publike, Drejtorisë së Arsimit, etj.

Po ashtu, u ritheksua se Lista paraprake në asnjë rast nuk nënkupton se janë dhënë pronat. Me Listën paraprake, bëhet e ditur vendi i pronës, sasia dhe gatishmëria që të bëhet dëgjim publik për çdo ofertë për investime dhe investitorët dhe komisioni komunal i përbërë nga të gjitha partitë politike do të vendosë për dhënien e pronave në shfrytëzim.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë