Nis gjykimi ndaj të akuzuarve për sulmin në Banjskë
Foto kryesore është realizuar nga Driton Paçarada.
Ka nisur seanca fillestare ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, një vit më herët.
Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq janë paraqitur të mërkurën para trupit gjykues.
Më 11 shtator, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë kundër ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq dhe 44 personave të tjerë.
Ata akuzohen se me dhunë e me armatim të rëndë tentuan ta shkëpusnin pjesën veriore dhe t’ia bashkonin Serbisë.
Ndaj tyre rëndojnë veprat penale si “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpëlarja e parave”.
Sipas aktakuzës, shteti i Serbisë ia vuri në dispozicion grupit të Radoiçiqit infrastrukturën ushtarake dhe i ofroi armë.