Lladrovci deklarohet për dhënien në shfrytëzim të pronave publike: Drenasi ka perspektivë dhe është zemra e Kosovës

Me 17 vota për, 12 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi komunal i Drenasit ka miratuar vendimin për dhënien në shfrytëzim për 99 vjet të 51 pronave publike.

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka thënë se në seancën e jashtëzakonshme, nga 13 pikat e rendit të ditës, pika e tretë zgjoi interesim të madh te opozita, e cila ende heziton ta votojë listën paraprake të pronave për dhënien në shfrytëzim.

Pas një debati, propozimi i Milaim Hajdarit u aprovua njëzëri që nga 54 pronat e propozuara në Listë, tri të mënjanohen.

51 pronat tjera në Listën paraprake të pronave për dhënien në shfrytëzim u miratuan me 17 vota pro.

“Se kush është mbrojtës i pronës publike dhe si shtohet vlera e pronës, këtë e dinë qytetarët e komunës së Drenasit, me disa shembuj, si ai te hekurudha, në Arllat, etj”, ka thënë Lladrovci.

Opozita, sipas tij, ka të drejtën e kësaj bote për ta kundështuar çdo propozim të tyre, por, zhvillimi i komunës, investimet, bizneset me vende të reja pune, janë të mirëseardhura në Komunën e Drenasit dhe askush nuk mund t’i ndalojë.

“Premtimi im për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie të qytetarëve, nuk njeh pengesa. Falënderoj të gjithë asamblistët e pranishëm në mbledhje, e në veçanti falënderoj opozitarët që votuan pro dhe asamblistin më të ri të grupit tonë parlamentar, Selman Qallapakun”< ka thënë Lladrovci. Ai në fund të falënderimit ka thënë se Drenasi ka perspektivë, Drenasi është zemra e Kosovës.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë