“10 deputetë të PDK-së mund të jenë nga Drenasi”, Lladrovci kërkon unitet nga të gjithë për zgjedhjet nacionale
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci i ka ftuar qytetarët, pjesëtarët e partive tjera në Komunën e Drenasit, bashkë me subjektet e dala nga PDK-ja, ish anëtarët e PDK-së në veçanti, të bëhen pjesë e unitetit për zgjedhjet nacionale, transmeton portali DrenicaOnline.
“Të jemi bashkë për ta rifilluar zhvillimin në komunën tonë. Asnjë investim kapital i realizuar për pesë vjet. Bedri Hamza i njeh nevojat tona dhe ka vizion për zhvillimin e mëtejmë të Drenasit dhe Kosovës”, ka thënë Lladrovci.
Ai ka thënë se uniteti në komunën e Drenasit, do të ketë jehonë më larg, sepse, me unitet lehtas mund të marrin 10 deputetë në Parlament, lehtas mund të kenë ndikim thelbësor në zhvillimet e nivelit qendror.
“Dhjetë deputetët e mundshëm të Drenasit, do të jenë votë për shpërndarje më të drejtë të buxhetit, të projekteve kapitale dhe perspektivës për të rinjtë tanë”, ka deklaruar Lladrovci.
Më shumë se kurrë, sipas Lladrovcit, kërkohet unitet qytetar e politik, për ta rikonfirmuar se historia e re e Kosovës, nuk mund të bëhet pa neve, sepse, Drenasi është zemra e Kosovës./DrenicaOnline/