Zbulohet kush është personi që rrahu një vajzë në mes të rrugës në Fushë Kosovë, ndalohet për 48 orë

Konfliktet në trafik janë goxha të shpeshta në vendin tonë dhe jo rrallëherë eskalojnë në kërcënime serioze e përleshje fizike, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Për një rast të tillë që ka ndodhur para disa ditësh në rrugën “Hajrullah Zymi” në Fushë Kosovë, Policia ka arrestuar një person, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari i cili ka qenë në arrati dhe arrestuar sot nga Policia në Fushë Kosovë është Erzen Bytyqi.

28-vjeçari po dyshohet se e ka sulmuar fizikisht një vajzë 23-vjeçare pas një fjalosje të momentit, më 25 gusht.

Bazuar në informacionet e para, palët kanë qenë në rrugë kur janë kapur dhe kanë pasur një konflikt verbal që eskaloi më pas në sulm.

I dyshuari e ka goditur viktimën duke e rrëzuar përtokë dhe për pasojë i ka shkaktuar lëndime trupore.

Si rezultat i denoncimit nga ana e 23-vjeçares, i dyshuari është identifikuar dhe është arrestuar.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë