Pritet shtrirja e rrjetit të ujësjellësit në Korroticë, Krajkovë e Tërstenik

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” sh.a., qëllimin kryesor e ka ofrimin e shërbimeve të furnizimit me ujë të pijshëm për të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit. Për të përmbushur këtë mision me sukses dhe për të ofruar furnizim stabil me ujë të pijshëm dhe cilësor, sigurisht që kërkohet angazhim maksimal në të gjitha fushat.

Në vazhdën e takimeve zyrtare në zonën e shërbimit, kryeshefi ekzekutiv Arsim Fetahu gjatë ditës së sotme takoi nënkryetarin e komunës së Drenasit Arben Shala, shefin e kabinetit të kryetarit Skender Berisha dhe inxhinierin e hidroteknikës së komunës së Drenasit Ndriçim Bujupaj.

Gjatë këtij takimi u diskutua për gjendjen e përgjithshme të infrastrukturës aktuale të rrjetit të ujësjellësit, ujërave të zeza, furnizimin me ujë të pijshëm për Komunën e Drenasit me fshatra, vazhdimin e investimeve kapitale, planet konkrete të bashkëpunimit, projektet specifike zhvillimore, sfidat dhe vështirësitë me të cilat po përballet KRU “Prishtina” , shkallën e arkëtimit, rritjen e kërkesave për ujë të pijshëm gjatë sezonit të verës dhe marrjen e masave adekuate për menaxhimin sa më të mirë të situatës në terren, identifikimin e puseve të reja, zvogëlimin e humbjeve të ujit, Masterplan për liqenin e Vërbovcit, aktivizimin e disa stacioneve të pompimit dhe një sërë liste prioritare për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve të komunës së Drenasit me fshatra.

Përgjatë këtij takimi frytdhënës, u diskutuan edhe shumë plane të tjera konkrete dhe të përbashkëta zhvillimore për fshatrat Korroticë, Krajkovë, Tërstenik, etj.

Po ashtu, si temë kryesore dhe aktuale e këtij takimi të rëndësishëm ishte edhe diskutimi rreth inspektimit të përbashkët ndërinstitucional në identifikimin dhe kontrollimin e kyçjeve ilegale në terren.

Ata falënderuan njëri tjetrin për pritjen dhe për mbështetjen e vazhdueshme lidhur me të gjitha projektet dhe investimet në rrjetin e ujësjellësit për të gjithë qytetarët e komunës së Drenasit, duke ritheksuar përkushtimin maksimal të udhëheqjeve të tyre kundrejt bashkëpunimit dhe bashkërendimit të investimeve, në funksion të ngritjes së efiçiencës dhe furnizimit sa më të mirë me ujë të pijshëm.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë