Vrasja e Faton Hajrizit – Si u lokalizua dhe si u vra në Serbi?
Pas rreth 40 orësh kërkime, Faton Hajrizi u lokalizua dhe u vra nga policia serbe dje gjatë ditës. Hajrizi ishte shpallur në kërkim për vrasjen e policit serb dhe plagosjen e tij. Identiteti i tij u konfirmua tek në mbrëmje. Mediat serbe kanë dhënë disa versione se si u lokalizua Hajrizi.
Gazeta beogradase “Blic” ka publikuar detaje rreth vrasjes së Faton Hajrizit në Loznicë të Serbisë.
Sipas tyre, Faton Hajrizi, ka qenë duke vrapuar në një rrugë kur aty ka kaluar një patrullë e policisë.
Sipas gazetës, Hajrizi ka filluar të qëllojë në drejtim të tyre.
‘Siç mësojmë, Faton Hajrizi ka mbetur i plagosur nga reagimi i policëve që ndodheshin në veturën patrulluese. Pasi policia e plagosi Hajrizi filloi të çalojë, ai u përpoq të arratisej duke vazhduar të gjuante, por u neutralizua shumë shpejt”, shkruan Blici serb duke u thirrur në hetues policorë.
“Blic” ka publikuar fotografi të xhaketës së lëkurës së Faton Hajrizit dhe të veturës së policisë të shpuar nga plumbat.
Tutje, duke u thirrur në burime shkruan se dyshohet se Faton Hajrizi e ka thyer celularin dhe e ka hedhur.
Mediumi Nova.rs, ka raportuar se Faton Hajrizi u vra në një fabrikë të braktisur jo larg vendit ku dyshohet se vrau policin Nikolla Krsmanoviq dhe plagosi Vjekoslav Iliq.
Ky medium raporton se ai ka qëlluar në drejtim të efektivëve të policisë që e kanë rrethuar dhe se ata kanë shpëtuar nga jelekët antiplumb dhe helmetat që kishin.
Media të tjera kanë raportuar se Hajrizi u lokalizua pas informatës nga një qytetar, i cili pasi Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë publikoi fotografinë Hajrizit, ai raportoi se kishte parë një person me atë përshkrim pranë ish-pompës së karburantit të Viskozës.
Në vendin ku u vra Hajrizi, dje ka shkuar Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq.
Sipas tij, Hajrizi ka shkrepur 9 plumba dhe se dorëzimin s’e ka pasur në agjendë.
“Kur erdhi policia ai hapi zjarr, policia gjuajti dy herë, ai filloi të ikte. Ai zbrazi nëntë plumba, policia e likuidoi, ai nuk e kishte dorëzimin në axhendën e tij, ai është një kriminel mizor, ka kryer pesë apo gjashtë vrasje”, thotë Daçiq.
Daçiq tha se Hajrizin e kanë përcjellë me kamera për dy ditë.
“E ndoqëm në kamera për dy ditë, fillimisht vodhi një biçikletë. Ishte gati të vriste dikë tjetër, jo vetëm policinë”.
Mediat serbe kanë publikuar edhe foto të Hajrizit të vrarë, ku shihet se ai është qëlluar në kokë.
Sipas informacioneve të Gazetës “Blic” të Beogradit, Faton Hajrizi ka tentuar të kalojë lumin Drina dhe të arratiset në Bosnje-Hercegovinë, por nuk ia ka dalë, kështu që është fshehur në një kompleks të braktisur fabrike, “ku prej vitesh fshihen migrantët” në pritje të një “lidhjeje” “për të ikur përtej Drinës.
Policia serbe dje në mëngjes e shpalli në kërkim Faton Hajrizin si të dyshuarin kryesor për vrasjen e policit serb, 34-vjeçarit Nikolla Krsmanoviq dhe plagosjen e kolegut të tij, 50-vjeçarit Vjekoslav Iliq.
Mediat serbe, të afërta me pushtetin, raportuan se menjëherë pas krimit, i dyshuari është arratisur për në Bosnjë e Hercegovinë, pasi ka kaluar lumin Drina.
Fillimisht, autoritetet serbe shpallën në kërkim vëllain e Fatonit, Artan Hajrizin, meqë në vendngjarje u gjetën dokumentet e tij personale, pasaporta e Republikës së Kosovës dhe letërnjoftimi i Gjermanisë.
I njëjti pas raportimeve, u lajmërua ku tha se ndodhet në Gjermani dhe se nuk ka lidhje me rastin. Për dokumentet që iu gjetën në vendin ku u krye krimi, ai akuzoi vëllain e tij, Fatonin, se ia ka vjedhur sa ishte në Gjermani.
“Pasaportin tem, pasaportin e Gjermanisë edhe të Kosovës, Fatoni u kanë para dy dite në Gjermani. Fatoni rregullisht u kanë jashtë shtetit. Nuk u kanë në Kosovë, nuk u kanë kërkund anej. Ai u kanë jashtë…Nuk ka banu te unë. U ardh te unë para dy dite, edhe i kom thanë këtu nuk ki vend te unë, se unë nuk du me prish familjen, nuk dua probleme se unë s’jam kanë problem kurrë. Nuk kam pas problem me ligj as në Kosovë kurrë. U ardh në shtatë sahati në mëngjes, edhe i ka mshu ziles, e kam pa ata se jam dalë me çel derën edhe tha vetëm me fol diçka me ty edhe u kry. Ia kom hap derën, u ngjitë naltë, ka nejtë 1 orë këtu. I kom thanë prej këtuhit largohu, se këtu të kapin Policia e unë s’du me pas probleme. Si në Gjermani, sin ë Kosovë jam një qytetar i thjeshtë. Unë në Gjermani jam qe dhjetë vjet e ende asnjë problem nuk e kam pas”, ka rrëfyer Hajrizi, përmes një videolidhje në T7.
Sipas tij, Faton Hajrizi që nga dita kur është arratisur, ka qenë duke qëndruar në shtete si Spanja, Austria, Italia dhe Sllovenia.
“Nuk e di unë për çfarë arsye u shku ai atje. Ai u kanë tu nejt në Spanje, Austri, Itali edhe në Slloveni”, ka deklaruar Hajrizi.
Pretendimet e Artanit, Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, i ka qujtur të rreme.
“Personi i cili i ka dokumentet në policinë tonë, Artan Hajrizi, sot në orën 11:55 ka deklaruar në policinë e Hanoverit se pardje vëllai i tij Fatoni i ka vjedhur dokumentet personale në banesën e tij në Hanover. Është një gënjeshtër klasike, sepse sipas cilës logjikë një person nga Hanoveri kthehet ilegalisht në Preshevë dhe tenton të shkojë sërish ilegalisht në Gjermani? Kjo tregon qartë se është rënë dakord më herët dhe se është një akt i organizuar”, ka thënë Daçiq.
Ai kërkoi që policia gjermane urgjentisht duhet të përgjigjet nëse Faton Hajrizi ka qenë në Hanover dhe “si ka dalë dhe si ka përfunduar në Preshevë dhe pse, me çfarë qëllimi”.
“Kërkoj mirëkuptimin tuaj që BKA në përgjithësi nuk komenton të dhënat personale apo hetimet apo pyetjen nëse janë duke u zhvilluar hetime”, ka thënë një zëdhënës i Zyrës Federale të Policisë Kriminale të Gjermanisë.
Tre të arrestuar lidhur me rastin
Si të dyshuar për përfshirje në këtë rast, deri tash janë arrestuar tre persona. Personi i parë i arrestuar është Mithan Haxhiq, nga Tutini në jugperëndim të Serbisë, i cili dyshohet se e ka vozitur të dyshuarin nga Presheva në drejtim të Lloznicës me veturë me targa të Tutinit.
Një person tjetër është arrestuar në Bijeljina të Bosnje e Hercegovinës, i cili dyshohet se i organizoi transportin Hajrizit.
“Z. R. [1985] është arrestuar në Bijeljinë pasdite, në bashkëpunim me Policinë e Republikës Sërpska i cili dyshohet se ka organizuar transportin e vrasësit nga Presheva për në Lloznicë”, thuhet në një komunikatë për media.
Ndërkaq, në Mlladenoc të Serbisë është arrestuar edhe gruaja e tij, e dyshuar si bashkëpunëtore.
U raportua se Z.R., më 2019 është dënuar me 8 vjet burgim për kontrabandë të një toni kanabis. Disa media në Serbi raportuan se atij iu gjet një dokument i falsifikuar identiteti ndërsa u tha se edhe ai ka ikur nga burgu
Si ndodhi rasti?
Ngjarja ndodhi pas mesnate në Loznicë që gjenden në kufi me Bosnjën, kur policët ndaluan një taksi me targa të qytetit të Tutinit që u dukej e dyshimtë, ku ndodheshin dy burra, shoferi dhe pasagjeri.
Sipas raportimeve, Policia identifikoi pasagjerët të cilët u janë dukur të dyshimtë dhe pastaj njëri prej policëve i ka kërkuar njërit prej personave në veturë që t’ia tregojë çantën. I njëjti raportohet se ka refuzuar ta bëjë këtë dhe se ka qëlluar në drejtim të policëve, duke e lënë njërin të vrarë e tjetrin të plagosur.
Asistenti i drejtorit të Policisë në Serbi, Dragan Vasiljeviq ka vizituar policin e plagosur serb. Pas vizitës ka dhënë detaje të bisedës me të.
Vasiljeviq ka thënë se nga biseda me policin e plagosur ka kuptuar se ky i fundit ka arritur të gjuajë me armë mbi sulmuesin, por thotë se nuk e di nëse ai është i plagosur.
“Kanë parë një ‘Mercedes’ me targa të Tutinit. Ka qenë e dyshimtë, kanë ndjekur automjetin, kanë ndezur dritat. Automjeti është ndalur një kilometër e gjysmë më tutje. Policët kanë zbritur nga automjeti dhe kanë kërkuar për dokumente personale, ishte një kontroll rutinë”, tha Vasiljeviq.
Ai tregon se nuk ka pasur të shtëna menjëherë, ndërsa shoferi dhe pasagjeri kanë siguruar dokumentet e tyre personale.
Policia ka kërkuar që të zbresë një person – pasagjeri, ndërsa personi tjetër ka mbetur në automjet.
“Pasagjeri ka dalë, personi është sjellë normalisht në gjestikulacion, ka qenë i buzëqeshur, polici Iliq ka qenë në anën e majtë, në zonën e shoferit për ta mbajtur nën kontroll. Menjëherë pas fillimit të kontrollit të fytyrës janë dëgjuar të shtëna, ishte në pjesën e pasme të automjetit”, tha Vasiljeviq.
Ai thekson se sulmuesi ka qëlluar disa herë në drejtim të policit Iliq dhe e ka goditur në shpatullën e djathtë.
“Siç tha ai (Iliq) ishte shumë e vështirë, por ai arriti të gjuajë armën dhe qëlloi disa herë në sulmuesin”, tha Vasiljeviq.
Iliq tha gjithashtu se sulmuesi nuk dinte ose nuk donte të fliste gjuhën serbe.