Specialja s’hap hetim, Krasniqi mund ta vendosë kravatën me shqiponja
Gjykata Speciale nuk e ka sqaruar se çka nuk i ka pëlqyer sigurimit të saj kur Jakup Krasniqi u detyrua ta heqë kravatën e kuqe me shqiponja të zeza të hënën që shkoi.
Gjykata në Hagë nuk u është referuar konkretisht karakteristikave të kravatës, e as nuk e ka bërë të qartë se cila ishte arsyeja që sigurimi veproi ashtu.
Në Kosovë kanë kërkuar hetime për këtë, mirëpo zëdhënësi i Speciales, Michael Doyle, ka thënë se nuk ka dijeni për ndonjë procedurë disiplinore të nisur.
“Nuk kam dijeni për procedura disiplinore. Siç u shpjegua, sigurimi kërkoi interpretim nga shefi i Njësisë së Paraburgimit dhe e mori interpretimin se mbajtja e kravatës është e lejueshme në kuadër të rregullave të paraburgimit. Kravata iu kthye po atë ditë”, ka thënë zëdhënësi Doyle.
Në Dhomat e Specializuara kanë thënë ndërkohë se Krasniqi mund ta vendosë kravatën kur të dojë dhe ku të dojë.
“Z. Krasniqi mund të vendosë nëse do që ta vendosë kravatën e tij ose jo”, ka thënë Angela Griep, shefe e Zyrës për Informim në DHSK.
Mbrojtja e Krasniqit nuk ka dhënë përgjigje lidhur me këtë çështje.
E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ka dërguar menjëherë letër Speciales duke kërkuar masa ndaj personave që kanë lënduar dinjitetin e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Në një përgjigje për KOHËN, të dielën, në Ministri kanë thënë se nuk janë të kënaqur me përgjigjen që kanë marrë nga kryetarja Ekaterina Trendafilova.
Kanë paralajmëruar një tjetër letër në adresë të saj.
“Sa i përket letrës të cilën ia ka drejtuar ministrja Haxhiu kryetares së Dhomave të Specializuara, ju njoftoj se kemi pranuar përgjigje. Në letrën e saj, kryetarja Trendafilova e ka zhvendosur përgjegjësinë tek qendra korrektuese dhe stafi i saj e po ashtu ka përmendur të drejtën e ankesës së z. Jakup Kransiqi në raport me atë veprim. Lidhur me këtë gjatë javës do t’i kthejmë përgjigje”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.
Krasniqi është paraqitur në disa seanca më herët me kravatën e njëjtë, përfshirë edhe në të parën.
Jakup Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, është ndër personalitetet e para që doli publikisht për të folur në emër të UÇK-së.
Ish-zëdhënësi i UÇK-së është i akuzuar në rastin më të madh të Speciales, bashkë me Hasim Thaçin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin.
Ata akuzohen për, siç pretendohet, ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Që të gjithë janë deklaruar të pafajshëm.