Ramiz Lladrovci: Disa ish asamblistë të PDK-së pengojnë zhvillimin ekonomik të Drenasit

Opinion

Dështon futja si pikë shtesë e Rendit të Ditës në Kuvendin e Drenasit- “Propozim vendimi për miratimin paraprak të Vendimit për dhënien e pronave të paluajtshme të komunës së Drenasit në shfrytëzim afatgjatë personave fizik/juridik (për 99 vite)”.

Kam premtuar se me të gjitha mundësitë do të angazhohem për krijimin e vendeve të reja të punës, për rritjen e mirëqenies, për kushte, mundësi dhe lehtësira për të bërë biznes në komunën e Drenasit, pavarësisht qeverisjes qendrore.

Me qëllim të ofrimit të kushteve sa më të mira për investitorët, kemi hartuar sipas ligjit, Listën e veçantë për pronat e planifikuara për t’i lëshuar në shfrytëzim afatgjatë, nëpërmjet thirrjes publike gjatë vitit 2024 për aplikim apo kërkesave për negocim.

Kjo listë duhet ta marrë miratimin paraprak në Kuvend, para se të hapet rruga për Komisionin komunal për shpalljen publike apo për të negociuar dhënien e këtyre pronave në shfrytëzim. Pra, kusht për shpalljen publike apo thirrjen publike, nëpërmjet negocimit të dhënies së pronave në shfrytëzim, është miratimi paraprak i kësaj Liste (59 prona me sipërfaqe mbi 677 hektarë e 55 ari, apo 6.775.511 metra katror).

Këtë pikë të Rendit të ditës, e kam parashtruar për miratim në pajtim me rregulloren, pavarësisht forcës së votave në Kuvendin e Drenasit. Kjo pikë e Rendit të Ditës nuk është miratuar për shqyrtim, sepse, propozimi nuk mori shumicën e votave.

Lidhur me votimin, as kam provuar, as kam lobuar që të votohet, duke konsideruar se është propozim i mirëpritur nga të gjitha partitë politike dhe asamblistët, pa dallim, sepse, është interes madhor qytetar.

Qytetarët duhet ta dinë se disa asamblistë (sidomos ish asamblistët e PDK-së), po e ndalin dhe bllokojnë zhvillimin e Komunës së Drenasit.

Është për keqardhje degradimi i besimit qytetar nga disa asamblistë, të cilët shkelin interesin publik. Është për keqardhje ky vendim sërish i gabuar i ish (katër) asamblistëve të PDK-së, të cilët kanë votuar kundër perspektivës së investimeve dhe zhvillimit të komunës së Drenasit. Është për çdo keqardhje dështimi i futjes në rend dite të miratimit paraprak të Listës së pronave të planifikuara për dhënien në shfrytëzim për 99 vite.

Komuna e Drenasit është zemra e Kosovës, vend ideal për investime. Ka shumë investitorë që kanë shprehur interesim për të investuar në komunën tonë. Ne kemi ofruar lehtësime maksimale për të krijuar vende të reja pune për rininë tonë, për bizneset vendore e ndërkombëtare, shtimin e buxhetit nga këto të hyra dhe ngritjen e mirëqenies së qytetarëve tanë.

Qytetarët duhet ta dinë se votimi i kësaj Liste, nuk nënkupton investim i menjëhershëm as falje prone, por, krijim i kushteve për negocim, votim për çdo pronë veç e veç në Kuvend dhe pastaj jepet prona në shfrytëzim.

Asnjë asamblist nuk ka mandat të nëpërkëmbë interesin qytetar, as të injorojë zhvillimin e komunës së Drenasit. Të vërtetën e madhe rreth mos votimit të sotëm, e tha një asambleiste e opozitës e cila shpërfaqi qëndrimin kundër qeverisjes aktuale, e cila synon t’i japë ato prona “në qeverisjen e ardhme”.

Pra, dhënia e pronave në shfrytëzim nuk është e dëmshme, por, çështja është te shpresa e një pjese të opozitës, ku njëra asambliste e opozitës tha se “diçka duhet me lanë për qeverisjen tjetër”, pra, synon t’i japë ato prona kur të vijnë në pushtet. Gjë e cila, normalisht, nuk do të ndodhë.

Shpreh falënderim për asamblistët, në veçanti për tre asamblistët e opozitës (LDK, AAK dhe një asamblist i pavarur) të cilët u ngritën mbi interesin partiak e personal dhe kanë përkrahur interesin e komunës, qytetarëve, perspektivën e investimeve në komunën e Drenasit.

Drenasi do të zhvillohet, sepse, është zemra e Kosovës.

Me nderime,
Ramiz Lladrovci

P.S. Gjeni bashkëngjitur Propozim vendimin me 59 prona, me mbi 677 hektarë e 55 ari, i datës 16.1.2024.

https://www.facebook.com/share/p/HXFQGuoTFdgLhktL/?mibextid=WC7FNe

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë