Arben Shala: Sulmet e dy pushteteve tjera ndaj atij të gjyqësorit sjellin pasoja të papara

Opinion

Jemi dëshmitarë se pushteti aktual, në këtë fillim të vitit në veçanti, po e sulmon gjyqësorin, njërin nga tri pushtetet e ndara (krahas legjislativit dhe ekzekutivit), me cilësime të papranueshme të cilat kanë për qëllim nënshtrimin e gjyqësorit.
Sulmet e tilla nuk janë aspak të shëndetshme për një demokraci të brishtë si kjo jona, e pa konsoliduar plotësisht. Kontrolli i tri pushteteve nga një person i vetëm e fundosë shtetin në diktaturë.
Kontrolli i ekzekutivit dhe numrat në legjislativ, ia kanë dhënë komoditetin pushtetit që përmes deklarimeve publike të nënkuptojnë se gjyqësori duhet të jetë në shërbim e kontroll të interesave të tyre. Përqendrimi i të tri pushteteve në dorën e një personi, sjell deformime me pasoja të papara.
Një pjesë e shkeljeve të ligjeve, të cilat janë miratuar në parlament, Gjykata Kushtetuese për to tashmë ka vendosur se është shkelur Kushtetuta.
Qytetari e bëri zgjedhjen e tij tek kutitë e votimit, megjithatë nuk e meriton këtë qasje regresive kur shihet qartazi se pushteti po eksploron dhe promovon një diskurs që nxitë elementët irracionalë e nostalgjikë, vetëcensurën e vetëpërjashtimin në raport me pushtetin duke u munduar të krijojë një përshtypje të rrejshme për qëllimet e atyre sulmeve si qëllim të forcimit të shtetit, drejtësisë e luftimit të korrupsionit.
Duke promovuar veten si flamurtar përmes frazave si “stabilitet politik”, “stabilitet ekonomik”, “solidaritet social”, “prosperitet dhe solidaritet”, “vullnet i popullit”, etj., tregon nostalgjinë jo vetëm për ideologjitë politike të hedhura në koshin e historisë por edhe për tendencën për koncentrim të pushtetit në duart dhe vullnetin e një personi.
Nëse hedhim sytë nga rajoni, ndërhyrja në gjyqësor për shtetet që dolën nga diktatura e socializmi nuk është diçka e panjohur, një shëmbëlltyrë të tillë ditët e fundit e pamë në shtetin fqinj kur një udhëheqës opozitar u sulmua fizikisht nga institucionet e shtetit të cilat e gjykuan apriori, e dënuan dhe e paralizuan.
Sulmet e pushtetit kundër gjyqësorit kanë për qëllim të ngjallin frikë tek gjykatësit. Frika nga hakmarrja e mundshme e denigrimi personal, çon në devijim të demokracisë, autocensurë dhe hezitim për të vepruar kundër dëshirave të qeverisë. Me këtë po tentohet të krijohen parakushtet që pushteti të ketë kontroll të kufizuar e të mos mbahet përgjegjës për veprimet e tyre.
Kjo do t’u jepte komoditetin pastaj të krijonin mekanizma të cilat do t’i jepnin llogari vetëm diktatorit dhe do të mund të operonin të lirë në hije, pa llogaridhënie e pa ndëshkim. Një tentativë e tillë ishte me rastin e tendencës së krijimit të një Gestapoje për administratë përmes draftit të Projektligjit për Inspektimin Administrativ.
Pavarësia e tri pushteteve (legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori, me mediat si pushtet i katërt) parandalon keqpërdorimin e pushtetit përmes kontrollit efektiv, përgjegjësisë e llogaridhënies. Të gjithëve na kujtohet ajo skena tek filmi “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër” me analogjinë për shkopin në dorë të Maliqit. Sot, kjo ndikon në humbjen e besimit qytetar në institucionet e shtetit, degradimin e të drejtave të njeriut, ngadalësimin e zhvillimit ekonomik, madje edhe në ikjen e rinisë nga këto rrethana.

Sulmet ndaj gjyqësorit, qytetarët duhet t’i kuptojnë drejtë. Ato nuk sjellin drejtësi e rend. Ato janë sulme ndaj shtetësisë e demokracisë në Kosovë, janë fyerje për sakrificën shekullore për drejtësi.

Cenimi i pavarësisë së pushteteve të ndara, sjell atë që e ka deklaruar gjenerali MacArthur: “Asnjë njeri nuk ka të drejtë (t’i gëzojë) bekimet e lirisë nëse nuk është i kujdesshëm për ta ruajtur atë”.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë