Pas zbulimit të autorëve të profileve të rrejshme në Drenas, gratë e atakuara do të përgatisin padi

Drejtoreshat e drejtorive të Komunës së Drenasit dhe asambleistet dhe kandidatet për asamble të PDK-së, nëpërmjet një deklarate kanë paralajmëruar se do të ushtrojnë padi kundër personave që sulmonin pa bazë me profile të rrejshme nëpërmjet rrjeteve sociale dhe mediave gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të vitit 2021.

Deklarata e plotë:

Deklaratë

Me rastin e zbulimit të autorëve të profileve të rrejshme në facebook, ne drejtoreshat, asambleistet dhe kandidatet për Asamble gjatë vitit 2021, nga dega e PDK-së në Drenas, kërkojmë ndërmarrjen e veprimeve nga ana e organeve të drejtësisë ndaj të gjithë atyre që na fyen, përhapën dezinformata, shpifje dhe thashetheme për neve.

Gjatë asaj fushate, ne kemi qenë cak i sulmeve të pashembullta në Kosovë, të një fushate të egër zgjedhore, duke u përfolur si “të paafta”, sikur jemi “kukulla që s’na pyet kush”, e deri te dilemat ndaj profesionalizmit tonë, aftësive dhe kapaciteteve tona.

Kërkojmë nga koleget tona, të sulmuara gjatë fushatës, të mbledhin faktet dhe të gjitha së bashku dhe veç e veç të ushtrojmë padi, kundër personave që sulmonin pa bazë me profile të rrejshme nëpërmjet rrjeteve sociale dhe mediave.

Drejtoreshat e Komunës së Drenasit
Kandidatet për Asamble dhe Asambleistet e PDK-së në Kuvendin e Drenasit

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë