Tensione në seancën e vrasjes së rëndë në Drenicë: “…Nëse s’e denoni ju, kena me denu na pasha një Allah”, “… gratë e fëmijët kanë besë”

Seanca e Shukri dhe Rexhepi Rexhepit u tensionua kur dikush premtoi se drejtësinë për vrasjen e B.M do ta marr vet në dorë.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 19 qershor 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Shukri Rexhepit, Rexhep Rexhepit, Fiton Musliut dhe Agim Musliut.
Në pikën e parë të aktakuzës, Shukri Rexhepi dhe Rexhep Rexhepi akuzohen se më 23 korrik 2022 rreth orës 18:45 në fshatin Baks, Komuna Skenderaj, me dashje, në bashkëkryerje, kanë privuar nga jeta viktimën B.M, si dhe kanë plagosur të dëmtuarin Labinot Ademi, ashtu që pas një fjalosjeje që ka ndodhur më herët ndërmjet djalit të mitur të Rexhep Rexhepi, F.R, i cili rreth 5 minuta para ngjarjes kishte drejtuar automjetin e tipit “Audi A6” me shpejtësi të lartë afër shtëpisë së viktimës B.M. dhe në atë moment kishte ndërhyrë vëllai i viktimës, Agim Musliu, duke e goditur automjetin e të pandehurit Rexhep Rexhepi me një shkop të drurit dhe pas kësaj i mituri i kishte njoftuar të pandehurit lidhur me rastin.
Sipas aktakuzës dy të pandehurit kanë marrë pushkën automatike AK-47 dhe me veturën e njëjtë të tipit “Audi A6” ngjyrë hiri, kanë shkuar tek shtëpia e viktimës dhe posa janë afruar, te pandehurit Shukri Rexhepi dhe Rexhep Rexhepi kanë dalë nga vetura në atë mënyrë që i pandehuri Shukri me dashje që t’i privojë nga jeta personat e familjes Musliu që kanë qenë në vendin e ngjarjes, ka filluar të shtije më pushkë automatike AK-47 në drejtim të tyre, ndërkaq i pandehuri Rexhep ka filluar kacafytjen me të dëmtuarin Agim Musliu, e për pasoje i pandehuri Shukri si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka privuar nga jeta viktimën B.M.