Ramiz Lladrovci: Republika e Kosovës nuk është dhuratë!
Opinion
Kuvendi i Kosovës, ndonjëherë di të jetë fushëbetejë e qëndrimeve dhe deklarimeve, të cilat, qytetarët do të ishte më mirë të mos i dëgjonin, sepse, bien ndesh me historinë dhe të kaluarën tonë, në të cilën ka mjaft dëshmitarë të gjallë.
Askush nuk duhet ta harrojë se e para është sakrifica për çlirim dhe kontributi ynë në themel të pavarësisë. Ne dëshmuam se jemi të gatshëm të vdesim për çlirim dhe aleatët na besuan. Na besuan sepse, në terren, mes tjerash i panë nënat tona e familjarët si i varrosnin heronjtë tanë, në rrugën e pakthyeshme për çlirim.
Aleatët e vërejtën se lufta jonë ishte e drejtë e pastër dhe në pajtim me normat ndërkombëtare dhe na ndihmuan. UÇK vepronte në tokë, NATO në qiell, bashkë ia arritëm ta çlirojmë vendin.
Republika e Kosovës për qytetarët tanë nuk ishte dhuratë, as ishte plaçkë lufte e falur në saje të egërsisë së konfliktit, por ishte mirëkuptim e përkrahje e rrugës tonë shekullore për liri. Prandaj, ne morëm ndihmën e botës demokratike e përkrahjen për shtetformim e shtetndërtim.
Siguria në komponentin përbërës të politikës globale, është çështje parësore. Aq është e rëndësishme sa nuk është në duar të individëve lokal, por në duart e NATO-s. As siguria e Kosovës nuk është çështje lokale.
Hashim Thaçi në politikën strategjike nacionale, ishte larg më përpara politikës ditore. I tillë ishte edhe vendimi për të filluar luftën, edhe kur nënshkroi Rambujenë, edhe kur e “ç’armatosi UÇK-në”, edhe kur themeloi partinë politike, edhe kur e shpalli pavarësinë.
Hashim Thaçi ishte në lartësinë e burrështetasit kur e nënshkroi letrën: “Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, unë ju ofroj garanci se Forca e Sigurisë së Kosovës do të ketë mundësi të ndërmarrë misione në veri të Kosovës vetëm në bashkëveprim KFOR-in. Kjo është në përputhje të plotë me obligimet ekzistuese të Kosovës kundrejt NATO-s të cilat Qeveria e Republikës së Kosovës i zbaton me seriozitetin më të madh”.
Fati ynë dhe i lirisë së Kosovës ishte në duar të sigurta nga fillimi i luftës çlirimtare!
https://instagram.com/p/CzO3SkfNTLX/