25-vjeçarja nga Shqipëria tenton t’i korruptojë policët në Kosovë pasi e gjobitën, njërin e shan dhe e sulmon me shqelma

Zyrtarët e Policisë së Trafikut në shumë raste gjatë kryerjes së detyrave përballen me persona të cilët tentojnë të ofrojnë ryshfet, në mënyrë që të shpëtojnë nga dënimet për kundërvajtjet që shkaktojnë. Për pasojë, shoferët jo rrallëherë futen në sherr e madje edhe eskalojnë duke i sulmuar policët, raporton Sinjali.

Një incident i tillë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në magjistralen Ferizaj – Kaçanik, ku një shtetase e Shqipërisë u kap me policët, të cilët nuk arriti t’i korruptojë me të holla.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një 25-vjeçare, e cila fillimisht ka shkelur rregullat e trafikut dhe më pas është ndaluar nga Policia.

Sinjali mëson posa e dyshuara e kuptoi se do të gjobitet, tentoi ta kryejë “punën” me para, e pasi nuk ia doli, i sulmoi zyrtarët policorë.

Të njëjtat burime thonë se e njëjta e ka goditur njërin nga policët, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Pëd ta vënë situatën nën kontroll, Policia e ka arrestuar të dyshuarën, e cila me pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Ndaj saj, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë