Perimet për turshi, “të paprekshme”, një kg speca tani po kushton deri në 1.5 euro

“Për mua janë të paprekshme… Duhet t’i lë të gjitha”, thotë Sali Aliu teksa shikon çmimet e perimeve në Tregun e Gjelbër në Prishtinë.
“Çka të bëj”, pyetet pensionisti nga Podujeva, i cili merr rreth 200 euro në muaj.
Në këtë periudhë të vitit, qytetarët e Kosovës zakonisht furnizohen me perime për turshi, por çmimet e tyre sivjet kanë befasuar shumë nga ta.
“Vitin e kaluar, nëse i ke marrë specat me thes [3 kilogramë], kanë kushtuar prej 1.5 deri në 1.8 euro. Sivjet, 3 euro e gjysmë është thesi i njëjtë, me kilogramë të njëjtë. Domatet… vjet i kemi marrë me 60 deri në 70 centë për kilogram. Sivjet i ke 1.2 deri në 1.5 euro”, thotë Amir Simnica nga Prishtina.
Bashkëqytetarja e tij, Mirishahe Stublla, thotë se vitin e kaluar ka siguruar dhjetë thasë me speca, domate, tranguj, hudhër, majdanoz e të tjera për 30 euro. Me këto para thotë se sivjet nuk arrin ta marrë as gjysmën e këtyre furnizimeve.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Visar Hajdari, i cili shet produkte të ndryshme bimore në tezgën e tij, bën disa krahasime:
“Pasuli, vitin e kaluar, ka qenë 2.5 deri në 4 euro, ndërsa sivjet është 4 euro [për kilogram]. Hudhra, vitin e kaluar, ka qenë 5 euro, sivjet është 6 euro. Mjalti, vjet, ka qenë 8 euro, sivjet është 15 euro. Mielli i misrit, vjet, ka qenë 80 centë, sivjet është 1.3 euro”.
Rritjen e çmimeve e konfirmojnë zyrtarisht edhe të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Ato tregojnë se çmimi i perimeve në gusht të këtij viti, është rritur për 28 për qind, krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, ndërsa çmimi i pemëve është rritur për 11.4 për qind. Buka dhe drithërat janë shtrenjtuar për 4.5 për qind, mishi për 3.8 për qind, ndërsa qumështi, djathi dhe vezët për 2.4 për qind.
Për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe pushtimit rus të Ukrainës, çmimet gjetiu në botë janë rritur, sidomos më 2021 dhe 2022, për të hyrë pastaj në një trend të stabilizimit.
Vitin e kaluar, Kosova e ka përmbyllur me normë mesatare të inflacionit gati 12 për qind.
Çmimet e disa produkteve në një dyqan në Prishtinë. Shkurt, 2022.
Tahir Tahiri, udhëheqës i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, thotë se rendimentet e ulëta nga prodhuesit vendorë kanë ndikuar në ngritjen e çmimeve të produkteve bujqësore, sidomos të perimeve dhe pemëve.
E, në uljen e rendimenteve, thotë ai, ka ndikuar vonesa e mbjelljes dhe kultivimit, për shkak të shirave gjatë gjithë muajve të pranverës.