Arrestohet avokatja kosovare, dyshohet se avulloi 16 mijë eurot e klientit që i takuan si kompensim

Një avokate nga Prishtina është arrestuar dhe ndaluar nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i besimit” lidhur me një rast që kishte ndodhur në vitin 2012.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se rasti ka nisur të hetohet pasi viktima kishte raportuar se nuk ishte kompensuar nga një kompani e sigurimeve, për çështjen juridike të kompensimit të dëmit jo material, për një aksident që i kishte ndodhur atë kohë.
“Lidhur me këtë, hetuesit rajonal nën autorizim të prokurorit nga Prokuria Themelore në Ferizaj i kishin nisur hetimet dhe nga provat e grumbulluara, lënda në të cilën ishte dëmtuar ankuesi, një pjesë ishte gjykuar dhe kishte formën e plotfuqishmërisë, kurse pjesa tjetër ishte kthyer në rigjykim.
Me datë 01.10.2020 kompania e sigurimeve kishte bërë transferin e parave rreth gjashtëmbëdhjetë (16) mijë eurove në llogari të një përfaqësuesi ligjor, mirëpo ekziston dyshimi se përfaqësuesi ligjor i palës së dëmtuar, për arsye ende të panjohura nuk i ka përmbushur detyrimet ligjore, ose i kishte keqpërdorur autorizimet me qëllim që vetes, apo personit tjetër t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, apo t’i shkaktojë dëm personit që ka përfaqësuar.
Me datën 04.09.2023, përfaqësuesi ligjor është shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve dhe pas intervistimit nga policët hetues, është informuar Prokuroria Themelore në Ferizaj dhe me Aktvendim mbi ndalimin e personit të arrestuar, të lëshuar nga gjykatësi i Procedurës Paraprake nga Gjykata Themelore në Ferizaj është ndaluar për 48 orë, për procedura tjera hetimore, ndërsa rasti është cilësuar ‘’Keqpërdorim i besimit’’”