Tërheqja e certifikatës së biznesit për Klan Kosovën do të mbetet në tentativë!
Ardian Bajraktari, Avokat
Sipas Kushtetutës tonë, garantohet liria dhe pluralizmi i mediave, çdo tentativë për mbyllje të ndonjë mediumi, është tentativë për cenimin e pluralizmit medial, si vlerë e shoqërisë sonë.
Por kjo (besoj fuqishëm) do të mbetet në tentativë.
Çka pas këtij vendimi, që haptas shpërfaqet tentativa e cenimit të pluralizmit medial.
Çështja bartet në gjykatë.
Krahas padisë për anulim të aktit administrativ, vlen t’i hedhim një vështrim nenit 22, paragrafit 2, dhe 6, të Ligjit 03/L-202 për Konfliktet Administrative.
Paragrafi 6, përcakton si në vijim: “Paditësi mund të kërkojë edhe nga gjykata shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ deri në marrjen e vendimit gjyqësor, sipas kushteve të parapara në paragrafin 2. të këtij neni”.
E paragrafi 2, përcakton se: “Me kërkesën e paditësit, organi, akti i të cilit ekzekutohet, gjegjësisht organi që është kompetent për ekzekutim, mund ta shtyjë ekzekutimin deri në vendimin definitiv gjyqësor, nëse ekzekutimi do t’i sillte dëm paditësit, i cili vështirë do të riparohej, kurse shtyrja nuk është në kundërshtim me interesin publik, e as që shtyrja do t’i sillte ndonjë dëm të madh palës kundërshtare përkatësisht personit të interesuar”.
Pra për t’u aprovuar kërkesa për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, duhet të plotësohen tri (3) kushte, si në vijim:
(i) ekzekutimi t’i sjellë paditësit dëm që vështirë do të riparohej;
(ii) shtyrja të mos jetë në kundërshtim me interesin publik; dhe
(iii) shtyrja të mos i sjellë dëm të madh palës kundërshtare.
Në rastin konkret, përveç se në aspektin meritor të çështjes, (me sa kemi pa deri më tani), edhe kërkesat që duhet të plotësohen për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit janë të plotësuara në mënyrë komulative, d.m.th. të tri kushtet, andaj kjo çështje do të mbetet në tentativë.