Ramiz Lladrovci: Po, koordinim edhe i fortë bile!
Opinion
Sot, Kuvendi i Kosovës u bë gaz, pa gaz lotsjellës. Uji sot u konsiderua si armë dhe degradoi në hedhje të mjeteve të forta nga një zv. kryeministër të papërgjegjshëm. Zakonisht, frikacaku bën sulmin i pari, nga frika. Ashtu e shoh reagimin e pozitës ndaj ujit që u hodh. Sot, mesazhi nga Kuvendi ishte mesazh i keq, i provokuar, për të mbuluar disa dështime.
Dështimi më i freskët i pozitës është incizimi që u publikua nga Berati, ku znj. Mimoza, flet dhe i buzëqesh Slavkos “xhentëlmen”. Asgjë nuk do të ishte takimi mes dy krerëve të dy partive politike me peshë kuvendore, ku shfaqet simpatia, bashkëpunimi, miqësia në njërën anë sa nxiti reagim urrejtja, armiqësia dhe nënçmimi i përbashkët në bisedë, për palën tjetër-opozitën dhe UÇK-në.
Ky denoncim publik që del nga incizimi, shpërfaq dyfytyrësinë e partisë në pushtet e cila për vite me radhë akuzonte çdo parti tjetër për bashkëpunim me Listën Serbe. Kjo përbën skandalin më të madh pas luftës çlirimtare.
Pas ditës së djeshme ku u dëgjua plotësisht incizimi Mimozë-Slavko, asgjë në politikë nuk do të jetë njëjtë në vendin tonë. Bashkëpunimi i heshtur dhe fyerja që i bëhej personaliteteve politike shqiptare nga mendësia e Mimoza Kusarit, nuk dallon nga mendësia e njohur e udbashëve para padronëve të vet. Sjellja e Mimozës, ishte befasi e madhe, kur dihet se u rrit në gjirin e PDK-së dhe u bë yll madje edhe në vallëzim.
Zhgënjimi më i madh sot, nuk është i lidhur me ballafaqimin fizik, por, dalja për herë të parë para qytetarëve të atyre që me dekada shanë të tjerët për bashkëpunim me Listën Serbe, ndërsa vet, me vite janë në bashkëpunim e bashkëqeverisje me “çetnikët”. U shfaq një inferioritet i pështirë, i njohur nga koha e okupatorit të cilin e kemi shporrë një herë e përgjithmonë, bashkë me aleatët!
Doli në dritë një fakt që pak kush e ka besuar: Vetëvendosje kishte dhe ka koordinim me Listën Serbe, edhe të fort bile!
https://instagram.com/p/CupbtM2NESm/