Vjehrri e rrah dhe e bën për spital nusen e djalit në Fushë Kosovë, përfundon në pranga të Policisë

Pavarësisht rasteve të tmerrshme të cilat shumë herë kanë përfunduar me fatalitet, dhuna në familjet kosovare nuk po ka të ndalur. Viktimat më të shpeshta po vazhdojnë të jenë gratë, të cilat po përjetojnë në vazhdimësi dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët, por edhe anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.

Së fundi një konflikt familjar ka ndodhur edhe në një familje në Fushë Kosovë, ku vjehrri dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së djalit të tij.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 28-vjeçarja ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se vjehrri i saj e ka sulmuar fizikisht, derisa e ka rrëzuar përtokë.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje dhe ndaj tij të nisin hetimet për veprën penale ‘Dhunë në familje’, kurse viktima u dërgua në strehimore.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë