I biri i deputetit i fiku cigaren në trup të dashurës, i vëllai kërcënoi drejtorin e policisë, kush janë Rexhep e Xhelal Rraja

Djali i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja, Rexhep Rraja është shpallur në kërkim nga policia lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Krujë, ku u dhunuan barbarisht dy persona nga fisi Maja, në një lokal.
Konflikt që më pas degradoi në përdorimin e shkopinjve të bejsbolli e shqelma.
Por djali i deputetit të PS, më herët është përfshirë në një tjetër ngjarje të dhunshme.
Rasti i Xhisiela Malokut ishte ai që bëri bujë dhe shkaktoi reagime të forta, pasi djali i deputetit të PS, u akuzua për dhunimin e të resë.
Kujtojmë se dhunimi i vajzës në atë kohë u bë publik, kur oficeri i policisë Emiljano Nuhu dëshmoi për dhunën e ushtruar ndaj vajzës së re dhe akuzoi policinë për neglizhencë.
Kujtojmë se ish-oficeri i Policisë, Emiljano Nuhu gjithashtu në atë kohë deklaroi se pas këtij denoncimi ishte kërcënuar më armë nga vëllai i deputetit të PS, Xhelal Rraja për të mbyllur dosjen.
Ndërsa në dëshminë e saj Xhisiela Maloku rrëfeu dhunën e ushtruar në një dhomë hoteli.
Ajo tregoi se është njohur me djalin e deputetit në vitin 2012, dhe kishte qenë e lidhur me të deri në vitin 2017.
Maloku po ashtu rrëfeu se konfliktet me ish të dashurin e saj, djalin e deputetit të PS, i kanë ardhur pas ndarjes.
Pjesë nga dëshmia e Xhisiela Malokut në 2018:
Ajo tregoi se 19.07.2018 është takuar me Rexhep Rrajën, dhe pas një debati me tone të ashpra në makinën e tij, nën kërcënimin e armës e ka dërguar në një hotel. Në dhomë ajo tregon se është dhunuar nga djali i ish deputetit të PS, është djegur me cigare në këmbë prej tij dhe është goditur në kokë më qytën e pistoletës. Si pasojë e dhunës së ushtruar vajza thotë se ka humbur ndjenjat dhe nuk kujton më gjë.