Qytetarët e Drenasit për dy ditë pa ujë, gazetarja Qorri akuzon Ujësjellësin “Prishtina” për papërgjegjësi

Qytarët e Komunës së Drenasit kanë mbetur pa furnizim me ujë të pijshëm për dy ditë të tëra. Lajmin për Nacionalen e ka konfirmuar gazetarja Agnesa Qorri, e cila ka shprehur shqetësimin e saj në një postim në Facebook. Ajo ka akuzuar qendrën e thirrjeve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” sh.a për mospërgjigje konkrete në lidhje me rikthimin e furnizimit me ujë në qytetin e Drenasit dhe sjellje të papërgjegjshme.
Në postimin e saj, gazetarja Qorri ka treguar vështirësitë e saj në kontaktimin me kujdestarët e kompanisë dhe mungesën e përgjigjeve konkrete për datën e rikthimit të furnizimit me ujë në qytetin e Drenasit.
“Provoj edhe me i pyet si gazetare me marrë përgjigje përmes numrit të kujdestarise, se kur pritet me u leshu uji për këtë qytet, çka është duke ndodhë se çdo vikend që vij në Drenas asnjëherë nuk ka ujë me rregull. Por personi qe e hapë telefonin shprehet se “nuk e dijm kur vjen uji, kur të nis me punu fabrika…”, – ka shkruar mes tjerash ajo.
Lidhur me mungesën e ujit të pijshëm në këtë komunë, Nacionale ka tentuar të kontaktojë me Ujësjellësin Rajonal “Prishtina”, por deri në momentin e publikimit nuk i janë përgjigjur thirrjes.