Një veturë nga Kosova bie në lumin Lepenc në Maqedoni të Veriut: Shpëtohet një person, në kërkim edhe tre të tjerë

Një veturë sot pasdite ka rënë në lumin Lepenc në pjesën e Maqedonisë së Veriut, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas AlsatM, vetura dyshohet se është me targa të Kosovës dhe e njëjta është përmbytur në afërsi të tunelit në rrugën Shkup – Bllacë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante, teksa ekipet e Policisë dhe ato të kërkim shpëtimit prej orësh po vijojnë kërkimet për të gjetur veturën.
Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se një person është shpëtuar, ndërsa tre pasagjerët tjerë janë ende në kërkim.
“Sot rreth orës 15:00 është raportuar se në aksin rrugor Shkup-GP ‘Bllacë’ ka ndodhur një aksident trafiku ku është përfshirë një veturë Volkswagen me targa të Shkupit, e drejtuar nga B.B. nga Shkupi dhe një veturë BMW me targa të Kosovës, e drejtuar nga H.P. nga Kosova, e cila pas aksidentit ra në lumin Lepenec. Në BMW përveç shoferit ndodheshin edhe tre pasagjerë. Një person është nxjerrë nga lumi dhe është transferuar në spitalin “8 Shtatori”, ndërsa për tre të tjerët janë në vazhdim e sipër”, shton policia, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Në kërkim janë përfshirë edhe vullnetarë që kanë ofruar ndihmë fizike dhe monitorim me dronë.

