Lëndimi i punëtorit të kompanisë: Flet pronari, thotë se ndodhi nga pakujdesia e jo nga kushtet e këqija

Punëtorët në Kosovë përballen me sfida të shumta, e ndër to janë edhe kushtet në vendet e punës dhe rreziku që u kanoset. Jo rrallëherë ata e pësojnë keq, qoftë në ndërtimtari, apo edhe në sektorë të tjerë. Një rast i lëndimit në punë ka ndodhur edhe gjatë ditës së sotme në kompaninë “Verbani Glass” në Ferizaj, për çka është iniciuar rast, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se një punëtor i kësaj kompanie, që ndodhet në fshatin Prelez i Muhaxhirëve, derisa ka qenë duke punuar, ka pësuar lëndime në gishtin e njërës dorë.
Viktima, i moshës 24 -vjeçare është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Ferizaj, ku ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore edhe inspektorët e punës të cilët kanë kryer ekzaminimet nëse janë plotësuar apo jo kushtet e punës dhe masat e sigurisë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar si “Asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikshmërinë e sigurisë në vendin e punës”.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar pronarin e kompanisë, i cili e ka konfirmuar rastin, por ka thënë se nuk ka të bëjë asgjë me kushtet e këqija në punë, pasi siç thotë ai, punëtori ka pasur veshmbathjet e punës, por edhe dorëzat në momentin kur është lënduar.
Sipas tij, punëtori është kthyer sërish në punë dhe gjithçka ka ndodhur nga pakujdesia.
“Po, e ka pre një gisht edhe ka ardhë e ka vazhdu punën. E kanë çelë si rast që u vra (lëndu) në vend të punës, ai e ka pre gishtin, se na me xham punojmë. E ka pre gishtin tregues, e ka pre edhe u shku me mjeku, edhe ma kanë bo film.
Në orar të punës ka qenë, është i regjistruar, i siguruar, gjithçka në rregull është. Na punojmë me xham, ai pren, mos me pas kujdes pak. Ai e ka pre gishtin tregues. Ai ka ardhë apet në punë ka nejtë. Ka nejtë me neve. Nuk ka të bëjë me kushtet e punës. Po, ka pasur dorëzua edhe teshat e punës. Në atë minutë e ka hup kujdesin edhe e ka pre gishtin tregues.”