Vodhi plot kasaforta me para të bamirësisë, zbulohet se kush është hajni i arrestuar

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri në biznese. Marketet shumë shpesh janë cak i hajnave, të cilët herë vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë vjedhje. Një ndër hajnat që ka bërë kërdi në disa markete brenda është arrestuar gjatë ditës së sotme, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për I.Hasani, i cili dyshohet se ka kryer vjedhje në Viva Fresh në rrugën “Dardania” në Fushë Kosovë, ku ka marrë arkën me paratë e mbledhura për bamirësi.
Sinjali mëson se i dyshuari është kapur në fshatin Bresje dhe përveç këtij rasti, ai dyshohet edhe për vjedhje të tjera, të kësaj natyre.
Pasi Policia e ka identifikuar, i njëjti është ndaluar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratë para hetuesve policorë për veprën me të cilat ngarkohet.
Me të përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe brenda afatit ligjor të ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.