Komuna del me njoftim për dy rastet e zjarrit të ndodhura sot në Drenas

Sot, në orët e para të mëngjesit, ka pasur dy intervenime si rezultat i djegies së gomave mbeturinë, në lokacione të pa planifikuara në komunën e Drenasit. Shqetësimet mbesin të lidhura me ndotjen e ambientit që shkaktohet nga varrezat e automjeteve, shumë herë ato janë paraqitur në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Po ashtu shqetësimin tonë lidhur me licencat për operatorët që veprojnë në komunën e Drenasit (varrezat e automjeteve) e kemi paraqitur në Ministri dhe asnjëherë nuk kemi parë veprime në këtë drejtim.
Komuna e Drenasit është e përkushtuar që të ruajmë ambientin me të gjitha mënyrat ligjore dhe kushdo që shkel ligjin, është ndëshkuar dhe do të ndëshkohet.
Ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë me Drejtorinë e Inspekcionit dhe me Policinë e Kosovës, duke njoftuar për të gjitha rastet kur dëmtohet ambienti dhe shkelet ligji.
Gjithashtu, ftojmë operatorët ekonomik që merren me veprimtarinë e automjeteve të përdoruara, automekanikët dhe bizneset tjera (varrezat e automjeteve, auto-serviseve, vullkanizerëve etj) që mos të hedhin mbeturina gomë në vende të cilat rrezikojnë jetën e tyre dhe të qytetarëve.
I sigurojmë qytetarët se do të jemi tërësisht në zbatim të ligjit, ndërsa ata që ndotin ambientin do të ndëshkohen sipas ligjit.