Albin Tahiri ka thënë se priste më shumë nga vetja pas garës së stome në super sllallom të madh në Lojërat Olimpike Dimërore në PyeongChang 2018 në Korenë e Jugut.
Një gabim në fillim të garës i kushtoi atij me humbjen e ritmit duke mos arritur të renditet më mirë se vendi i 47-të.
Skitari kosovar, i vetmi sportist i vendit pjesëmarrës në këto Lojëra, zuri vendin e 47-të nga 62 garues në total, raporton Express.
Tahiri arriti ta mbyllte garën me kohën 1:32.74.
“Kam pritur më shumë, sepse vendosa të rrezikojë më shumë, mirëpo fatkeqësisht e bëra një gabim në fillim, të cilin u mundova ta përmirësojë, por e humba ritmin dhe kohën. Në fund ia dola të përfundojë edhe një garë tjetër, por që ka mundur të jetë më mirë”, tha Albi Tahiri pas garës.
Gara e ardhshme e Albinit është të dielën (18 shkurt) në sllallom të madh, e cila për dallim nga kombinimi alpin, lëshimi dhe super sllallomi i madh, të cilat u mbajtën në qendrën skitare në Jaengson, do të mbahet në qendrën Alpensia, rreth 15 kilometra larg PyeongChangut.