Mbrojtja: UÇK-ja s’kishte organizim, krimet ishin individuale

Ekipet e avokatëve të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit kundërshtuan më 4 dhe 5 prill provat e prokurorisë speciale në Hagë, të paraqitura në procesin gjyqësor kundër tyre.
Katër udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit – akuza të cilat vetë ata i kanë mohuar.
Mbrojtja e tyre u fokusua në kundërshtimin e provave se UÇK-ja ka pasur organizim të mirëfilltë dhe se të akuzuarit kanë vepruar në një, siç e cilëson prokuroria, “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.
Pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës, gjyqi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nisi më 3 prill. Për tri ditë palët mbajtën deklaratat e tyre hyrëse për rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Prokurorët e specializuar ishin të parët që nisën deklaratat e tyre hyrëse për rastin e ngritur ndaj ish-eprorëve të UÇK-së.
Ata thanë se gjatë këtij gjykimi do të ofrojnë dëshmi se të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” që ka shënjestruar kundërshtarët e perceptuar të UÇK-së.
Sipas prokurorisë, kjo “ndërmarrje e përbashkët kriminale” kishte udhëhequr një “luftë speciale” kundër atyre që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë”.
Prokuroria argumentoi se qëllimi i përbashkët i kryerjes së krimeve nga të pandehurit ishte që ata të “fitonin pushtet në luftë, në Kosovë dhe ndaj personave që perceptoheshin si kundërshtarë të UÇK-së”.
Gjatë seancës gjyqësore, prokurorët paraqitën një sërë intervistash, komunikatash e dokumentarësh, por edhe dokumente të tjera, që, sipas tyre, do të dëshmojnë për fajësinë e të akuzuarve.
Prokuroria tha se të akuzuarit janë “personalisht përgjegjës” për krimet që iu ngarkohen, duke argumentuar se UÇK-ja kishte një strukturë të organizuar dhe në krye të kësaj strukture ishte Shtabi i Përgjithshëm, që sipas organit të akuzës, u themelua nga të akuzuarit.
Prokuroria tha se ish-krerët e UÇK-së ishin anëtarë themelues të UÇK-së dhe të Shtabit të Përgjithshëm, ku mbanin poste të larta drejtuese.