E mbushi veturën me derivate në “DHF Company” dhe ikë pa paguar, por kapet nga Policia

Pompat e derivateve shumë shpesh janë cak i hajnave të cilët arrijnë të vjedhin e të grabisin qindra mijëra euro. Pothuajse të gjitha kompanitë janë përballur me humbje të tilla, që përveç dëmit të shkaktuar, është krijuar edhe pasiguri e frikë për punëtorët. Por ka raste kur vidhen edhe llojet e ndryshme të derivateve, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka ndodhur të mërkurën në pompën ‘DHF Company’, në rrugën “Gani Daci” në Pejë, ku një klient ka mbushur veturën e tij me derivate dhe më pas është larguar pa paguar.

Sinjali mëson se rasti është denoncuar në Polici menjëherë nga një punëtor i kompanisë, i cili ka dhënë deklaratën e tij para hetuesve policorë se si kishte ndodhur vjedhja.

Si rezultat i denoncimit, Policia është aktivizuar dhe ka arritur që të zbulojë se kush është i dyshuari, i cili më pas është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhër për ndalim policor dhe inicimin e rastit si ”Vjedhje e shërbimeve”.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë