“Unë shkoj n’burg veç kur të dal…”, dërgohet në paraburgim burri që kërcënoi ish-gruan e tij në Drenicë

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë. Telashet me partnerët dhe familjet e tyre, nuk marrin fund gjithmonë me ndarje. Shumë gra edhe pas shkurorëzimit kanë probleme me ish-bashkëshortët e në raste të caktuara, ata vazhdojnë të ndajnë të njëjtën hapësirë banimi, raporton Gazeta Sinjali.

Për një rast të tillë që ka ndodhur në Skenderaj, sot Sinjali ka raportuar me detaje. Këtë herë, një grua 40-vjeçare e ka raportuar për kërcënim, ish burrin e saj me të cilin jetonin në të njëjtën banesë.

Denoncimi i saj aktivizoi Policinë, me ç’rast i dyshuari u arrestua dhe u ndalua, teksa brenda afatit ligjor është bërë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë.

I dyshuari ka dalë sot para gjyqtarit të procedurës paraprake, ku është aprovuar kërkesa e Prokurorisë dhe ndaj tij është caktuar një muaj paraburgim, për veprën penale “Kanosje”.

Ai po dyshohet se pas një zënke verbale, e ka kërcënuar ish bashkëshorten se ai mund të shkojë në burg, por do e shohë se çfarë do t’i ndodh posa ai të lirohet. Ky paralajmërim e ka frikësuar viktimën për çka edhe kërkoi ndihmën e Policisë, ku rrëfeu gjithë rastin.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë