Festa e 7 Marsit/ Kurti takon mësuesin nga Drenica me të cilin ishin bashkë në burgjet e Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për nderë të Ditës së Mësuesit, ka takuar mësuesin, Osman Jakupi, nga fshati Baks i Skenderajt, me të cilin thotë se ishin të burgosur në burgjet e Serbisë gjatë kohës së okupimit serb në Kosovë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se mësuesi Osman ishte i plagosur, i burgosur, i maltretuar edhe në spital dhe i torturuar në burg.
“Me mësuesin Osman Jakupi nga Baksi ishim bashkë në burgjet e Serbisë. Ai ishte i plagosur e i burgosur, i malltretuar edhe në spital përveçse i torturuar në burg. Katër anëtarë të familjes i ka të vrarë gjatë luftës, e vetë mësues me ditar në dorë për 45 vjet e 5 muaj”, shkroi ai.
Po ashtu kryeministri Kurti ka takuar edhe vajzën e mësueses së tij, Aferdita Deva.
“Ndërkaq Afërdita është vajza e vetme e mësueses sime Nafije Dobruna-Deva. Kur unë isha nxënës i fillores Afërdita ishte studente e Matematikës, pastaj ajo u bë profesoreshë në Gjimnaz e mandej Asistente në Fakultet të Ndërtimtarisë, në lëndët Matematikë I, II dhe III”, shkroi tutje Kurti.