Homazhe në Kompleksin e Jasharajve në Prekaz për nder të Epopesë së UÇK-së

Më rastin e 25 vjetorit të sulmit nga forcat serbe ndaj familjes Jashari, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci me bashkëpunëtorë, kryetari i Komunës Skenderajt, Fadil Nura, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, deputet të Kuvendit, anëtar të kuvendeve komunale, personalitete të tjera nga Komuna e Drenasit dhe Skenderajt, kanë bërë homazhe pranë varrezave të Jasharajve në Prekaz dhe kanë vënë buqeta me lule në shenjë kujtimi e nderimi të luftës së shenjtë çlirimtare të familjes Jashari.
“Sot, kujtojmë 25 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rezistencës heroike të Familjes Jashari. Ne këtë ditë nderojmë edhe të gjithë heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë së Kosovës. Sot kujtojmë themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare që ranë në altarin e lirisë, nderojmë jetën e veprën e të gjithë kontribuuesve për lirinë e pavarësinë e vendit tonë, kujtojmë njëherësh, prijësit tanë që fizikisht nuk janë me ne, Hashimin, Kadriun, Jakupin, Rexhën, Hysniun, Nasimin e Salihun. Drenica dhe mbarë Kosova, u rreshtuan krah idealeve të komandantit legjendar Adem Jashari dhe Jasharajve, që nga momentet e para të përgatitjes së rezistencës së armatosur, drejtë luftës frontale duke kontribuar me vetmohim, me gjak e plagë për çlirim”, tha mes tjerash kryetari Lladrovci.
Kujtojmë që sot, duke filluar nga ora 12:00 Kuvendi Komunal i Skenderajt dhe Drenasit, mbajnë seancë solemne kushtuar Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe gjithë të rënëve për liri.