‘PLAKA’ | Arrestohet çifti i infermierëve, kishin hapur shtëpi fiktive për kujdesin e të moshuarve – merrnin 1 mijë euro në muaj

Personat e moshuar të cilët kanë nevojë për përkujdesje të veçantë, por që këtë nuk arrijnë ta marrin nga familjarët e tyre, në shumë raste dërgohen në shtëpi kujdesi. E për këtë, familjarët paguajnë shuma të majme parash, në mënyrë që të moshuarit të kenë trajtim sa më dinjitoz, raporton Gazeta Sinjali.

Një çift në qytetin e Gjilanit, gjatë ditës së djeshme kanë rënë në prangat e Policisë. Ata dyshohet se në mënyrë të jashtëligjshme janë përkujdesur për një kohë për një zonjë në moshë të shtyrë dhe për këtë kanë marrë nga 1 mijë euro në muaj.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pas marrjes së informacioneve për veprimtarinë e dyshuar të çiftit që me profesion janë infermierë, kanë nisur hetimet lidhur me rastin.

Gjatë ditës së djeshme, Policia në koordinim me Prokurorinë dhe me urdhër të Gjykatës kanë kryer bastisje në lokacionin, ku ishte ‘Shtëpia për të moshuar’ që në realitet nuk ekziston. Ajo ishte hapur në një objekt që në të kaluarën ishte motel.

Sinjali mëson se gjatë operacionit të koduar ‘PLAKA’, është gjetur një grua 80-vjeçare e cila ishte në gjendje të rëndë shëndetësore. E moshuara është dërguar për trajtim mjekësor në spital, ndërkohë që dy të dyshuarit kanë rënë në prangat e Policisë dhe janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Bazuar në dëshminë e infermierit dhënë organeve të hetuesisë, i njëjti ka pranuar se ka hapur shtëpinë në fjalë pa licencë dhe pa kriteret që nevojiten të plotësohen dhe se të moshuarën e kanë pranuar për trajtim duke shfrytëzuar emrin e një shoqate mjekësore, e cila është në pronësinë e bashkëshortes së tij.

Në kuadër të veprimeve hetimore janë intervistuar edhe infermierja dhe mjeku i cili ka pranuar të moshuarën në objektin në fjalë.

Të dyshuar për rastin janë edhe dy persona tjerë, të cilët momentalisht ndodhen jashtë vendit dhe të njëjtit dyshohet se në koordinim me personat tjerë të përfshirë, kanë kryer veprat për të cilat dyshohen.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, infermieri i dyshuar është dërguar në mbajtje, ndërsa bashkëshortja e tij dhe mjeku do të hetohen në liri.

Ata do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Mashtrim’ dhe ‘Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor’.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë