Burrë e grua rrahen mes vete në Prishtinë, të dy përfundojnë në Polici

Telashet në familjet kosovare nuk po kanë të ndalur. Përditë në Polici raportohen numër i madh rastesh, ku konfliktet mes bashkëshortëve shpesh përfundojnë edhe me dhunë fizike e psikike. Një rast i tillë ka ndodhur sot në një familje në lagjen e spitalit në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

Konflikti mes tyre dyshohet se nisi pas një zënke, e cila pasoi me sulm, me ç’rast dyshohet se gruaja dhe burri i saj e kanë goditur njëri-tjetrin, duke pësuar lëndime trupore, për çka u desh edhe ndërhyrja e Policisë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se ngjarja dyshohet se ndodhi në shtëpinë e tyre, ku të dy bashkëshortët janë përleshur fizikisht mes vete për shkak të xhelozisë.

Posa rasti është raportuar në Polici, një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes dhe më pas ka shoqëruar dy palët në stacion për intervistim, ku kanë dhënë deklaratat e tyre në lidhje me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tyre kanë nisur hetimet për veprën penale “Dhunë në familje”.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë